Lidhje

Intervistë me Scott Carlson - 2002-06-27


CEELI, Nisma Ligjore për Evropën Lindore e Qendrore, botoi një analizë të hollësishme të sistemit gjyqësor në Kosovë. Por cila është gjendja e këtij sistemi në kushtet e veçanta të Kosovës që administrohet nga OKB-ja? A po e dëmton një situatë e tillë krijimin e një sistemi te pavarur gjyqësor? Cilat jane përparimet dhe reformat që duhen bërë? Kolegu ynë Arben Xhixho bisedoi me specialistin e Nismës Ligjore për Evropën Lindore e Qendrore Scott Carlson.

VOA: Sistemi i drejtësisë në Kosovë ka të veçantat e tij, në kushtet e një vendi që është duke ngritur institucionet qeverisëse dhe administrohet nga OKB-ja. Në këto kushte sa i efektshëm ka qënë sistemi i drejtësisë?

S.C.: Në rastin e Kosovës është e rëndësishme të kemi parasysh të kaluarën. Për 10 vjet praktikisht drejtësia në Kosovë nuk egzistonte si një sistem i lirë dhe i hapur. Pas lufte OKB-ja, gjeti një situatë ku në disa raste nuk kishte as ndërtesa për gjykatat. Pa dyshim nuk bëhej fjalë për personel ndihmës. Edhe ata gjykatës që egzistonin në Kosovë, shumë prej tyre nuk e kishin ushtruar profesionin për 10 vjet. Në këto kushte mendoj se komuniteti ndërkombëtar ka bërë një punë të admirueshme. Ka ende shumë për të bërë, ka ende shumë detyra për të zgjidhur për të ardhmen dhe si UNMIKU si qeveria e Kosovës duhet të kryejnë një numër reformash, disa prej të cilave ne i përmendim në raportin tonë.

VOA: UNMIKU në Kosovë ka të drejtë të anulojë gjithshka, pra e ka ai fjalën e fundit për gjithë vendimet që merren. Ndërsa në Kosovë po ngrihen institucionet e reja, a nuk shikoni këtu një kontradiktë, a nuk përbëjnë këto një precedent të keq për të ardhmen?

S.C.: Aktualisht UNMIK-u ushtron autoritetet të plotë dhe kjo krijon një situatë ku pavarësia e gjyqësorit, në kuptimin tradicional të fjalës, nuk egziston. Kjo krijon disa rreziqe përsa i përket mesazhit që u dërgon banorëve të Kosovës, nga njera anë komuniteti ndërkombëtar thekson se synimi i tij është krijimi i standarteve ndërkombëtare humanitare dhe nga ana tjeter ai nuk krijon një sistem të pavarur gjyqësor si autoriteti kryesor për ruajtjen e këtyre standarteve. Në fakt ka patur raste kur zyra e OSBE-së për vëzhgimin e sistemit të drejtësisë ka paraqitur vërejtje tek UNMIK-u se disa të arrestuarve që mbahen nga KFOR-i ose policia e UNMIK-ut, u janë shkelur të drejtat gjatë paraburgimit dhe se rastet e tyre nuk kane kaluar përmes një sistemi të drejtë gjyqësor. Pra meqë nuk ka sistem të pavarur gjyqësor që të shqyrtonte këto raste duke iu kundërvënë KFOR-it ose UNMIK-ut, disa banorë të Kosovës, që janë nën urdhëra arresti, nuk mund të ushtrojnë të drejtat e tyre në bazë të standarteve humanitare. Dhe kjo ishte arësyeja pse komuniteti ndërkombëtar shkoi në Kosovë.

VOA: Sa kohë do t’i duhet Kosovës të krijojë një sistem të pavarur dhe funksionues gjyqësor?

S.C.: Nuk ka dyshim se do të duhet kohë. Pas gjendjes në të cilën OKB-ja e gjeti Kosovën, ka ende shumë punë për të bërë. Në analizën për sistemin e drejtësisë ne kemi përcaktuar 30 kritere për të bërë vlerësimin se si po ecën reforma. Një numër prej tyre kërkojnë vëmendje urgjente, siç është njohja e ligjeve. UNMIK-u nxjerr ligje me ritëm të shpejtë, por aftësia për t’i përkthyer, e për t’i shpërndarë ato në gjithë vendin është e pamjaftueshme. Këtu kërkohet angazhim më i madh politik nga UNMIK-u që gjykatësit dhe avokatët në Kosovë të njihen me to. Së dyti pas njohjes me ligjet, gjykatësit dhe avokatët e rinj, kanë nevojë për kualifikim rreth tyre. Në analizën tonë ne bëjmë thirrje për një përpjekje serioze në këtë drejitm, për të institucionalizuar procesin e kualifikimit të gjykatësve dhe avokatëve. Kolegji i avokatëve po mendon tani për të krijuar një fakultet magjistrature bazuar në modelin francez dhe ne mendojmë se kjo është një rrugë shumë e mirë në këtë drejtim.

S.C.: Presioni i shoqërisë, frika, ndarjet etnike mund të ndikojnë në gjykimin e disa rasteve. A është ky një nga problemet kryesore me të cilën do të ndeshet në të ardhmen sistemi i drejtësisë?

VOA: Problemi i pavarësisë së gjyqësorit që ju e ngritët pak më lart është i lidhur me paanësinë e gjyqësorit, që ju po ngrini tani. Ky është thelbi i sistemit të drejtësisë në Kosovë në të ardhmen. Të gjithë ekspertët ligjorë që merren me Kosovën e kuptojnë se aty nuk mund të ketë një sistem një-etnik drejtësie. Ky sistem duhet të jetë shumë-llojshëm si përsa i përket anëve etnike edhe gjinisë. Në të duhet të ketë një përfaqësim të përshtatshëm të gruas, dhe në pubik duhet të krijohet përshtypja se nuk është përkatësia etnike po gjinia ajo që do të përcaktojë fatin e gjykimit. Në se kjo nuk ndodh, sistemi i drejtësisë nuk mund të ketë sukses. Por këtu kemi edhe zhvillime pozitive. Kohët e fundit CEEL-i përfundoi një kurs kualifikimi në Pragë në të cilin merrnin pjesë si shqiptarë edhe serbë. Ata bashkëpunuan aty shumë mirë dhe një gjykatës i njohur nga Amerika, u shpreh se ky ishte një nga kurset më mbresë-lënëse për të.

XS
SM
MD
LG