Lidhje

Diskutime rreth nismës së  Bushit për paqe në Lindjen e Mesme - 2002-06-29


Zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara, OKB-ja, Bashkimi Evropian dhe Rusia do të takohen javën tjetër për diskutime rreth nismës së presidentit Bush për paqe në Lindjen e Mesme.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Richard Boucher, tha se ka mundësi që këto bisedime të zhvillohen ditën e martë.

Presidenti Bush paraqiti në vija të përgjithshme planin e tij në një fjalim që mbajti të hënën në Shtëpinë e Bardhë. Pa përmendur udhëheqësin palestinez, Jaser Arafat, ai tha se palestinezët duhet të zgjedhin udhëheqës të rinj, të pakompremetuar nga terrori.

Shumë aleatë të Shteteve të Bashkuara e kanë distancuar veten nga thirrja e presidentit Bush për udhëheqës të rinj palestinezë. Dje, në takimin e nivelit të lartë të Grupit të Tetshes në Kanada, kryeministri britanik, Tony Blair, ra dakord se është nevoja për ndryshime në udhëheqjen palestineze, por tha se vendet e tjera nuk mund të diktojnë përfundimin e zgjedhjeve palestineze.

Presidenti Bush tha se palestinezët mund të mbështetën në ndihmën amerikane për krijimin e shtetit të tyre nëse ata përqafojnë demokracinë dhe zëvendësojnë udhëheqësit e tyre me zyrtarë që nuk mbështesin terrorizmin.

Presidenti Bush tha se përfundimisht Izraeli duhet të tërhiqet nga të gjitha territoret e pushtuara, pra brenda kufijve të vitit 1967, si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare të arritur përmes bisedimesh, duke u mbështetur në rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG