Lidhje

Nuk gjehet asnjë gjurmë e 15 ekstremistëve - 2002-06-29


Trupat izraelite që po kërkojnë në rrënojat e selisë së Autoritetit Palestinez në Hebron, nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të 15 ekstremistëve palestinezë, për të cilët mendohej se ishin fshehur në kompleks.

Zyrtarë ushtarakë izraelitë thonë se është e mundur që ekstremistët të kenë ikur para se forcat izraelite të rrafshonin ndërtesën tre katëshe sot në mëngjes, duke përdorur dy tonelata lëndë plasëse. Zyrtarët thonë se nuk ka pasur të shtëna nga ndërtesa që nga e premtja në mëngjes.

Të paktën 20 persona të kërkuar janë dorëzuar vetë pasi forcat izraelite rrethuan selinë ditën e martë. Mirëpo, rreth 15 ekstremistë të tjerë nuk pranuan të dërëzoheshin.

Fati i tyre mbetet i paditur ndërkohë që buldozerët izraelitë vazhdojnë të zhvendosin rrënoja në kërkim të trupave të ekstremistëve.

Kreu i shërbimit palestinez të sigurimit në Bregun Perëndimor, Xhibril Raxhub, shprehu mendimin se selia ishte e boshatisur në kohën e shpërthimit. Ai tha se Izraeli kërkonte ta shkatërronte ndërtesën pasi ajo ishte simbol i Autoritetit Paslestinez.

Hebroni është një nga 7 qytetet e Bregut Perëndimor që Izraeli ka ripushtuar që kur një seri shpërthimesh e sulmesh vetëvrasëse palestineze shkaktoi vdekjen e më shumë se 30 izraelitëve javën e kaluar.

XS
SM
MD
LG