Lidhje

Vazhdojnë përpjekjet për të zbuluar motivin e incidentit në aeroportin e Los Angelosit - 2002-07-06


Hetuesit amerikanë po i vazhdojnë përpjekjet për të zbuluar motivin e të shtënave në aeroportin e Los Angelosit, gjatë të cilave humbën jetën 3 vetë dhe u plagosën 5 të tjerë.

Dëshmitarët thonë se 41-vjeçari Hesham Mohamed Hadayet, imigrant nga Egjipti, iu afrua sportelit të linjës ajrore izraelite El-Al dhe hapi zjarr pa ndonje shkak të dukshëm. Para se të vritej nga një punonjës sigurimi i shoqërisë El-Al, personi i armatosur la të vrarë një punonjëse të linjës El-Al si dhe një 46 vjeçar, baba i 8 fëmijve.

Zyrtarë izraelitë thonë se fakti që personi i armatosur ishte egjiptian dhe dy viktimat e tij ishin hebrej, mjafton për të arritur në përfundimin se të shtënat janë një akt terrorizmi.

Megjithatë Byroja Federale e Hetimeve thotë se është ende e paqartë se përse personi në fjalë hapi zjarr dhe se deri tani FBI-ja nuk ka gjetur ndonjë të dhënë që ta lidhë atë me ndonjë organizatë terroriste.

Imigranti egjiptian erdhi në Shtetet e Bashkuara para 10 vjetësh dhe ishte me dokumenta si banues i përhershëm. Ai jetonte se bashku me familjen në zonën e Los Angelosit dhe drejtonte një shërbim limuzinash-taksi.

XS
SM
MD
LG