Lidhje

Lëndë bërthamore nga Japonia për në Angli - 2002-07-06


Dy anije që po transportojnë lëndë bërthamore, po lundrojnë nga Japonia për në Angli, mes shqetësimeve se ngarkesa e tyre mund të bëhet objekt i ndonjë sulmi terrorist. Anijet e armatosura lehtë, pronë e kompanisë shtetërore britanike për prodhimin e energjisë bërthamore B-N-F-L, u nisën të enjten nga Japonia për të transportuar një përzierje oksidi uraniumi dhe plutoniumi. Kompania britanike e kishte dërguar ngarkesën në Japoni para tre vjetësh, por ra dakort ta tërheqë prej andej, pas njoftimeve se ajo kishte falsifikuar të dhënat e sigurisë teknike, si dhe të cilësisë së materialit që po transportonte. Falsifikimi i dokumenteve ngriti shqetësime në Japoni rreth sigurisë së lëndës bërthamore dhe Tokio kërkoi që ngarkesa të merrej mbrapsht. Transportimi i lëndës radioaktive, që mund të jetë i një niveli të pasur, nga ai që përdoret për armët, është pritur me protesta nga grupet për mbrojtjen e mjedisit të cilat thonë se anijet mund të bëhen objekt sulmesh terroriste. Një zëdhënës i firmës britanike tha se janë marrë gjithë masat që anijet të mbërrijnë në destinacion pa incidente.

XS
SM
MD
LG