Lidhje

Çoviç - Steiner: Beogradi, kundër institucioneve paralele në Kosovë - 2002-07-06


Përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë dhe ata të gjyqësorit të UNMIKU-t në Kosovë, arritën sot në Beograd marrëveshjen për hartimin e protokollit me të cilin garantohet përmbushja e kushteve për inkuadrimin e gjyqëtarëve serbë në gjykatat e Kosovës. Këto kushte kanë të bëjnë me krijimin e kushteve të sigurisë, strehimit, mbrojtjes sociale, si dhe me disa çështje tjera të nevojshme për punë dhe jetën norma. Këtë e deklaroi Vlladan Batiç, ministër serb i drejtësisë pas takimit me shefin e gjyqësorit të UNMIKU-t, Zhak Kristian Kadié.

Dhe vuri në dukje se me këtë marrëveshje është bërë një hap i rëndësishëm përpara. Ai saktësoi se, të hënën, përfaqësuesit e UNMIKU-t do të sjellin në Beograd një protokoll i cili ka të bëjë me garantimin edhe përmbushjen e kushteve e të kërkesave që ka shtruar pala serbe. ”Pas kësaj, qeveria serbe do të inkurajojë njerëzit që deri më 15 korrik të paraqiten në konkursin për inkuadrim në gjyqësorin e Kosovës,” tha Batiç.

Sipas ministrin serb të drejtësisë, është planifikuar që në turin e parë në Kosovë të kthehen 40 gjyqëtarë e prokurorë të nacionalitetit serb nga Kosova, dhe nëse krijohen kushtet e parapara me marrëveshje, atëherë nga mesi i shtatorit gjyqtarët e parë serbë do të inkuadrohen në punën e gjykatave të Kosovës.

Ndërkaq, në një deklaratë të shkurtë për gazetarë, pas bisedimeve me shefin e UNMIKU-t, Michail Steiner, Nebojsha Çoviç, shef i Qendrës Koordinuese Serbe për Kosovën tha se përfaqësuesit e pushtetit në Beograd e kuptojnë ekzistencën e institucioneve paralele në Kosovë, por nuk i miratojnë dhe janë kundër tyre. ”Sepse të gjithë ata që angazhohen për institucione paralele, vetëm i ndërtojnë ambicjet e veta në dëm të popullit serb,” tha ai, dhe shtoi se rezoluta e miratuar ditë më parë në Kuvendin e Kosovës për të drejtat e bashkësive etnike dhe kthimin e personave të shpërngulur, është një dokument shumë pozitiv për krijimin e atmosferës së tolerancës dhe të jetës shumetnike në Kosovë. ”Pala serbe pret realizimin e saj.”

Kurse kryeadministratori i Kosovës, Steiner, tha se është biseduar edhe për inkuadrimin më të madh të serbëve në shërbimin policor të Kosovës, sidomos nga pjesa veriore e Mitrovicës ku, siç vuri në dukje, edhe kushtet janë përmirësuar dukshëm.

Ndërkaq, komisarja për refugjatë në qeverinë serbe, Sanda Rashkoviç- Iviç, dhe shefi i OSBE-së në Kosovë, Paskal Fieski, nënshkruan po sot në Beograd, Memorandumin mbi Mirëkuptimin Reciprok lidhur me programin e ofrimit të shërbimeve për regjistrimin e personave të shpërngulur për zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë dhe të gjithë ata do të mund të regjistrohen duke filluar nga 15 korriku, në të gjitha komunat e Serbisë.

Sipas zyrtarëve serbë, për zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar në Serbi e Mal të Zi janë regjistruar mbi 180 mijë refugjatë me të drejtë vote.

XS
SM
MD
LG