Lidhje

Kosovë: arrestohen 8 vetë - 2002-07-06


Zyrtarët e policisë së Kombeve të Bashkuara në Kosovë njoftuan se tetë persona janë arrestuar sot nën dyshimet se janë përfshirë në vrasjen e pesë pjestarëve të një familjeje shqiptarë në muajin gusht të vitit të kaluar. Komandanti rajonal i policisë në Prishtinë, Paul Hamlin, tha se operacioni për arrestimin e këtyre personave në të cilin kanë marrë pjesë mbi 90 pjestarë të policisë ndërkombëtare dhe asaj vendore është zhvilluar në Prishtinë dhe në Gllogoc, komunë kjo në rajonin e Drenicës në Kosovën Qendrore.

Të arrestuarit janë shqiptarë të Kosovës dhe policia beson se janë përfshirë në vrasjen e Hamëz Hajrës, gruas së tij dhe tre fëmijëve në natën ndërmjet 20 e 21 gushtit të vitit të kaluar në fshatin Baicë të komunës së Glogocit. Policia beson se Hamëz Hajra është sulmuar për shkak se ai kishte punuar më parë për policinë serbe. Tash për tash nuk janë dhënë hollësi rreth arrestimeve meqë, siç tha zoti Hamlin, ata ende nuk janë dërguar para gjykatësit-hetues. Megjithatë ai theksoi se “tre nga personat e arrestuar janë pjestarë aktualë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK)”, organizatë ku janë përfshirë ish-struktura dhe ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) pas procesit të çmilitarizimit dhe transformimit të kësaj të fundit. Mirëpo asnjëri prej tyre nuk është officer i lartë i këtyre trupave, tha ai duke mos e bërë të ditur identitetin e asnjërit prej të arrestuarve.

Zoti Hamlin theksoi se “këto arrestime nuk drejtohen kundër TMK-së por kundër individëve që dyshohet se janë të përfshirë në sulmin brutal dhe të pamëshirshëm kundër një familjeje”.

Tash për tash Trupat Mbrojtëse të Kosovës nuk kanë bërë ndonjë koment për arrestimet. Ky është grupi i tretë i shqiptarëve të arrestuar gjatë këtij viti nën dyshimet se janë të përfshirë në krime kundër bashkëkombasve të tyre pas përfundimit të luftës në Kosovë.

XS
SM
MD
LG