Lidhje

Presidenti Bush bisedon me Sharonin dhe Abdullahun per paqen ne Lindjen e Mesme - 2002-07-09


Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Bush zhvilloi biseda telefonike shumë pozitive me udhëheqësit e Izraelit dhe të Arabisë Saudite rreth arritjes së paqes në Lindjen e Mesme.

Presidenti Bush u telefonoi dje kryeministrit izraelit Ariel Sharon dhe princit saudit të kurorës Abdullah për të diskutuar mbi përpjekjet amerikane për paqe në këtë rajon të trazuar. Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti i bëri thirrje si udhëheqësit izraelit edhe atij saudit që të vazhdojnë përpjekjet drejt paqes dhe diskutoi me ta rreth përgjegjësive që kanë të gjitha palët në rajon për të luajtur rolin e tyre drejt realizimit të këtij objektivi. Presidenti Bush po përpiqet ti japë shtytje një plani që bazohet në krijimin e një shteti të veçantë palestinez. Por presidenti ka thënë se palestinezët së pari duhet të zgjedhin udhëheqës të aftë të parandalojnë sulmet terroriste kundër objetivave izraelite.

Bisedat e djeshme telefonike të presidentit zhvillohen ndërkohë që sekretari amerikan i shtetit Colin Powell përgatitet për bisedime mbi Lindjen e Mesme javën e ardhshme në New York me zyrtarë rusë, evropianë dhe të Kombeve të Bashkuara. Edhe në Izrael u bënë përpjekje të reja diplomatike. Ministri i jashtëm izraelit Shimon Peres u takua dje me ministrin e ri palestinez të punëve të brëndshme, Abdel Razaq al-Yahiya dhe me përfaqësuesin palestinez, Saeb Erakat.

XS
SM
MD
LG