Lidhje

Intervistë me ish ligjvenësin Joseph DioGuardi - 2002-07-12


VOA: Zoti DioGuardi kohët fundit ligjvenësit Benjamin Gillman dhe Tom Lantos paraqitën një rezolutë në Kongres për pavarësinë e Kosovës. A është kjo koha e përshtatshme për rezoluta të tilla?

J.D. Pa dyshim. Shirley dhe une sapo u kthyem nga një qëndrim 10 ditor atje. Nga takimet që patem me politikanët shqiptarë dhe me të tjerë është e qartë se të gjithë në Kosovë duan pavarësi. Në dy zgjedhje banorët e kanë dëshmuar hapur se çështja kryesore për ta është pavarësia. Shikoni ç’bën zoti Çovic në vizitat e tij. A është ai i interesuar për integrimin e Kosovës? Unë mund t’u them se shqiptarët janë të interesuar për integrimin e pakicave të tjera. Por veprimet zotit Çoviç tregojnë se me ndarjen de fakto të Mitrovicës dhe mënyrën si i trajtojnë shqiptarët në Preshevë, ata nuk kanë synim integrimin por përpiqen të gjejnë rrugë se si Beogradi ta kontrollojë përsëri Kosovën. Kjo pasiguri per të ardhmen e Kosovës duhet eliminuar. Pse? Kosova tani ka popullsinë më të re në Evropë. Dhe papunësia mes te rinjve është 75 përqind. Kjo mund të sjellë shumë pasoja të dëmshme për të ardhmen. Çfarë do të bëjnë këta shqiptarë? A do të përfshihen në valën e krimit të organizuar? A do të tentojnë të largohen nga vendi i tyre? Prandaj nuk mund të presim. Vullneti i popullit të Kosovës duhet të shprehet tani. Është edhe në interes të Shteteve të Bashkaura që duan paqe dhe stabilitet në Ballkan. Dhe mënyra e vetme për ta bërë këtë është Kosova e pavarur. Kjo është rruga e vetme për paqe dhe stabilitet. Kjo është në interes të Shteteve të Bashkuara. Ndryshe përse investuam 200-300 milionë dollarë në kampin Bondsteel. Pasi ne e dime sa e rëndësishme është siguria dhe Kosova.

VOA: Sa shanse ka rezoluta për t’u miratuar?

J.D. Mendoj se shanset janë të mira. Kur paraqitet një rezolutë në Kongres nga ligjvenës të tillë si Tom Lantosh, demokrati numër një dhe Ben Gillman, republikani numër dy, mendoj se edhe të tjerë do e mbështesin. Shirley Cloyes, gruaja ime, keshilltare për Ballkanin në Lidhjen Qytetare Shqiptaro Amerikane, punoi shumë për të hartuar një rezolutë që pasqyron historinë e Kosovës që nga Lufta e Dytë Botërore kur konsiderohej nga Kushtetuta Jugosllave si një njësi sovrane. Edhe Tito më pas me ndryshimet kushtetuese më 1974 e lejoi Kosovën të ruante de fakto statusin e një republike më vete. Pra ne filluam me këto në rezolutë dhe pastaj kaluam tek gjendja e sotme. Populli i Kosoves kërkon të dijë cili do të jetë statusi që të fillojë të tërheqë investime. Gjatë këtyre ditëve në Washington, ne do të marrim kontakte edhe me ligjvenësë të tjerë. Deri tani jemi me takuar me ligjvenësin Rohabacher, Tim Johnson dhe na kanë premtuar ta mbështesin rezolutën. Do të takhemi edhe me kryetarin e komisionit të marrëdhënieve me jashte Henry Hyde. Duam që ai t’i lejë të kuptojë Departamentit të Shtetit se kjo është një çështje e rëndësishme për të.

VOA: Edhe në se miratohet, çfarë rëndësie ka rezoluta. Ato nuk janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga administrata.

J.D. Së pari është një rezolutë e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve. Ne shpresojmë të paraqesim një të ngjashme në senat dhe për këtë do takohemi me senatorin Joseph Biden, kryetar i komisionit të marrëdhënieve me jashte në senat. Këta janë të gjithë ligjvenës të rëndësishëm. Pra rezoluta i tregon Departamentit të Shtetit se drejtuesit e Kongresit mendojnë se kjo është një çështje e rëndësishme. Pra Departamenti i Shtetit, Këshilli i Sigurimit Kombëtar, administrata duhet ta shikojnë këtë çështje më me vëmendje për të parë se mos aty ka gjera që deri tani nuk janë kuptuar si duhet. Rëndësia e vërtetë e rezolutës është t’u bëjë jehonë dëshirave të popullit të Kosovës, të tregojë se lobi shqiptar në Amerikë, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka fuqi të bindë drejtues të rëndësishëm të Kongresit se kjo është një çështje e rëndësishme. Pse është e rëndësishme për administratën? Ajo merr buxhetin nga Kongresi. Në se këta ligjvenës, Toma Lantos, Benjamin Gillman, Joseph Biden e të tjerë e mbështesin pavarësinë Departamenti i Shtetit do ta shikojë çështjen më seriozisht. Politika është politikë. Presidenti Bush do ketë nevojë për ndihmë nga senatori Biden. Demokratët kontrollojnë senatin. Prandaj ne duhet të jemi të shkathët me përpjekjet tona lobiste për të bindur senatorin Biden dhe ligjvenës të tjerë që të kërkojnë zbatimin e rezolutës, edhe sikur ta kërkojnë këtë si favor personal nga administrata. Por po ashtu duhet të bindim presidentin se kjo është në interes të tij. Përse? Amerika tani është e angazhuar me krizën në Lindjen e Mesme, me Afganistanin, me luftën kundër terrorizmit. Ne mendojmë se po i bëjmë një favor adminsitratës duke i thënë: hiqe një çështje nga rendi i ditës: jepu shqiptarëve të drejtën për vetë-qeverisje, që të zhvillojnë ekonominë, të krijojnë vend pune dhe ta mbajnë popullsinë brenda. Evropa nuk do refugjatë shqiptarë në Gjermani e Zvicër. Ata thonë që shqiptarët të qëndrojnë në Ballkan. Pra në se duan që ata të qëndrojnë aty, ata nuk do qëndrojnë aty nën Beogradin. Shqiptarët duhet të kenë shtetin e tyre dhe të grumbullojnë fonde për investime të mëdha.

XS
SM
MD
LG