Lidhje

Përfundon konferenca mbi Sidën - 2002-07-12


Ish presidenti amerikan, Bill Klinton dhe homologu i tij jugafrikan, Nelson Mandela, u bënë thirrje udhëheqësve botërorë të bashkohen në luftën kundër Sidës. Në fjalën e mbylljes së konferencës ndërkombëtare mbi Sidën, që zhvilloi punimet në Barcelonë të Spanjës, zoti Klinton tha se ai dhe zoti Mandela po krijojnë një rrjet udhëheqësish botërorë kundër Sidës. Ata thanë se në këtë rrjet do të marrin pjesë ata vetë dhe 6 kryetarë dhe ish kryetarë të tjerë shtetesh që morën pjesë në konferencë.

Ish presidenti amerikan premtoi se do ta prekë çështjen e Sidës në çdo fjalim që do të mbajë. Ai tha se ka në plan të udhetojë së shpejti për në Indi dhe Afrikë për të studiuar gjendjen në këto rajone përsa i përket Sidës.

Zoti Mandela çmoi lartë punën e veprimtarëve kundër Sidës dhe e cilësoi këtë sëmundje si një kërcënim ndaj njerëzimit që kërkon mobilizimin e të gjithë popujve. Ish presidentët Klinton dhe Mandela u pritën me duartrokitje të stuhishme kur ata u përqafuan në tribunë.

Konferenca e 14 ndërkombëtare mbi Sidën ishte tubimi më i madh i organizuar ndonjëherë në kuadër të përpjekjeve kundër Sidës. Në konferencën 6 ditëshe morën pjesë 15 mijë mjekë, veprimtarë dhe udhëheqës botërorë. Konferenca e ardhshme mbi Sidën do të mbahet pas dy vjetësh në Bankok të Tailandës.

Sipas statistikave, rreth 40 milion vetë në mbarë botën, përfshirë 28 presje pesë milion vetë në Afrikë janë prekur nga virusi Hiv që shkakton Sidën.

XS
SM
MD
LG