Lidhje

Këshilli i Sigurimit: amerikanët 12 muaj jashtë juridiksionit të Gjykatës së Krimeve - 2002-07-13


Pas negociatash të vështira, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ra dakord njëzëri mbrëmë (e premtë) për t’i përjashtuar për 12 muaj paqeruajtësit amerikanë nga juridiksioni i Gjykatës së re Ndërkombëtare të Krimeve. Ky vendim i hapi rrugën zgjatjes edhe për 6 muaj të operacionit të policisë ndërkombëtare në Bosnjë, si dhe misionit vëzhgues në Prevlakë.

Kështu, Shtetet e Bashkuara nuk arritën të fitonin atë imunitet të përhershëm nga gjykata që kishin kërkuar fillimisht. Por diplomatët amerikanë e quajtën fitore afatin 12 mujor të përjashtimit të paqeruajtësve amerikanë nga juridiksioni i gjykatës. Ajo i mbron shtetasit amerikanë nga veprimet e gjykatës së re, të cilën Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ratifikuar.

Shtetet e Bashkuara, si e vetmja superfuqi në botë, kanë argumentuar se shtetasit e tyre mund të bëhen objekt i ndëshkimit me motive politike.

Ambasadori amerikan, John Negroponte, u shpreh i lehtësuar për marrëveshjen, megjithëse vuri në dukje se ajo ishte rezultat i një kompromisi. ”Në fakt, unë mendoj se për qëllime praktike, kjo marrëveshje parashikon për një vit atë mbrojtje për ushtarët tanë që ne e kemi kërkuar. Do të kisha preferuar që kjo mbrojtje të ishte e përhershme.”

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit ishin të pakënaqur nga qendrimi amerikan, i cili, sipas tyre, do të minojë besueshmërinë e gjykatës së re, që është e para gjykatë e përhershme botërore për krimet e luftës. Por ata punuan me këmbëngulje për të kapërcyer ngecjen që do të kishte dëmtuar rënien e aftësisë vepruese të paqeruajtësve të OKB-së. Shtetet e Bashkuara kërcënuan se do t’u vinin veton operacioneve njëri pas tjetrit, ndërkohë që atyre po u afrohej afati i përsëritjes, në qoftë se Këshilli i Sigurimit nuk pranonte përjashtimin e paqeruajtësve amerikanë nga juridiksioni i gjykatës.

Qendrimi i Uashingtonit e ofendoi një pjesë të madhe të komunitetit ndërkombëtar, që mbështet gjerësisht Gjykatën e re Ndërkombëtare të Krimeve. 139 qeveri e kanë nëshkruar traktatin për krijimin e gjykatës dhe 76 e kanë ratifikuar atë.

XS
SM
MD
LG