Lidhje

Greqi: një i dyshuar tjetër - 2002-07-15


Autoritetet greke kanë identifikuar një tjetër person që dyshohet si anëtar i grupit terrorist 17 nëntori dhe kanë kërkuar ndihmë nga publiku për kapjen e tij.

Një zëdhënës i policisë greke tha se janë zbuluar lidhje të drejtpërdrejta të të dyshuarit Dimitris Koufodinas me një apartament në Athinë, ku në fillim të këtij muaji autoritetet zbuluan një sasi të madhe armësh të terroristëve. Zyrtarët e konsiderojnë këtë apartament një ndër pikat kryesore të magazinimit të armëve të lëvizjes 17 nëntori.

Zëdhënësi bëri publike një numër fotografish të të dyshuarit, i cili, siç tha ai, përdor së paku dy identitete të tjera. Ai tha se zoti Koufodinas kishte jetuar kohët e fundit me ish-bashkëshorten e Savas Xiros, një i dyshuar i arrestuar pasi një aparat eksploziv, që mendohet se ai planifikonte ta vendoste në qytetin port të Pireut, i shpërtheu muajin e kaluar në dorë. I dyshuari Xiros u plagos rëndë nga shpërthimi.

Hetimi lidhur me shpërthimin çoi në bastisjen e apartamentit në Athinë.

Grupi 17 nëntori është përgjegjës për të paktën 22 vrasje që nga viti 1975. Ndër viktimat përfshiheshin zyrtarë britanikë dhe amerikanë. Greqia ndeshet me trysninë ndërkombëtare për të goditur terrorizmin, ndërkohë që përgatitet për të organizuar Lojrat Olimpike Verore të vitit 2004.

XS
SM
MD
LG