Lidhje

Hormone me bazë estrogjeni - rrezik për kancer - 2002-07-17


Sipas një studimi të kohëve të fundit, gratë që marrin për një kohë të gjatë hormone me bazë estrogjeni, rrezikohen më tepër të kenë kancer në vezore. Ky studim u botua këtë javë në revistën e shoqatës mjekësore amerikane dhe bëhet i njohur pas një studimi tjetër mbi terapinë e zëvendësimit të hormoneve, i cili pati ndikime negative në shëndetin e grave që kurohen me to për një kohë të gjatë.

Gratë që u përfshinë në studimin mbi terapinë e zëvendësimit të hormoneve, ishin përfshirë më parë në projektin e qeverisë amerikane për zbulimin e rasteve të kancerit të gjirit. Shkencëtarët e Institutit Kombëtar të Kancerit arritën në përfundimin se 329 ndër 4 mijë gra ishin prekur nga kanceri në vezore, që nga koha e përfundimit të studimit në vitin 1980. Kjo do të thotë se rreziku për kancerin e vezores ishte 60 për qind më i madh ndër gratë që mjekohen me estrogjen, në krahasim me ato që nuk kanë marrë kurrë hormone. Gratë që u kuruan me estrogjen për 20 vjet, apo më tepër, rrezikoheshin tri herë më tepër të preken nga kanceri i vezoreve.

Xhon Kurtejn është drejtor i Shkollës Mjekësore të Onkologjisë në Universitetin e Niu Jorkut. Doktor Kurtejn shpjegon se estrogjeni zakonisht u jepet grave që u është hequr uterusi, si dhe atyre në periudhën e menopauzës. ”Numri i pacienteve që kurohen me estrogjen pas heqjes së uterusit është më i madh se numri i grave pas periudhës së menstruacioneve, të cilat marrin estrogjen. Shumica e grave që marrin estrogjen, nëse nuk i janë nënshtruar operacionit për heqjen e uterusit, kurohen edhe me estrogjen, edhe me progesteron”.

Në studim, shkencëtarët nuk vunë re shtim të rrezikut të kancerit në vezore tek gratë të cilat vazhdojnë ta kenë uterusin, dhe që kuroheshin vetëm me hormone estrogjeni.

Kenet Nollër, i Departamentit të Obstetrikës dhe Gjinekollogjisë, pranë Universitetin ”Tuffts” të Bostonit, thotë se ekziston një lidhje e mundshme midis estrogjenit dhe kancerit në vezore, që është me të vërtetë shqetësuese. Nollër thotë se etsrogjeni nuk duhet dhënë më si më parë, pa asnjë farë kufizimi.

”Mundet që të ketë ende një numër të vogël personash që marrin hormonin e estrogjenit, por tani kjo kurë nuk duhet të jepet më si më parë, pra, si një formë kurimi për sëmundjet e ndryshme gjinekologjike”.

Kohët e fundit, shkencëtarët e qeverisë amerikane e ndërprenë studimin për terapinë me estrogjen dhe progesteron, pas të dhënave që tregonin se terapia e kombinimit, e përdorur për një kohë të gjatë, shton në mënyrë të ndjeshme rrezikun e kancerit të gjirit, sëmundjes së zemrës dhe të hemoragjisë cerebrale.

XS
SM
MD
LG