Lidhje

Greqi: arrestime të tjera - 2002-07-18


Policia greke thotë se ka arrestuar 4 figura kryesore të grupit terrorist 17 nëntori.

Shefi i policisë, Fotis Nassiakos tha sot në një konferencë shtypi në Athinë se tre prej tyre kanë pranuar se kanë pasur gisht në një numër sulmesh terroriste dhe ndaj tyre do të ngrihen sot zyrtarisht akuzat për veprimtari terroriste.

Ai tha se policia ka ndaluar një tjetër të dyshuar, i cili besohet të jetë udhëheqësi i grupit 17 nëntori.

Arrestimet bëhen mëse një javë pasi autoritetet greke me ndihmën e agjentëve amerikanë e britanikë bastisën një strehim të fshehtë të këtij grupi në Athinë.

Grupi 17 Nëntori mendohet se ka lidhje me 23 vrasje që nga viti 1975, duke përfshirë edhe vrasje të zyrtarëve amerikanë dhe britanikë në Greqi.

HISTORI TERRORI

Kjo është arritja më e madhe e policisë greke në 27 vjet, që pas themelimit të grupit 17 nëntori.

Emri i organizatës përkujton datën 17 nëntor, 1973 kur u organizua një revoltë studentore kundër juntës ushtarake që kishte pushtetin në atë kohë. Ky grup u bë fillimisht i njohur në vitin 1975, kur mori përgjegjësinë për vrasjen e shefit të zyrës së CIA-s në Athinë.

Që nga ajo kohë, grupi 17 nëntori ka vrarë diplomatë amerikanë, britanikë dhe turq si dhe biznesmenë e politikanë grekë. Kjo organizatë ka kryer edhe sulme me bomba dhe raketa si dhe ka grabitur banka.

Shefi i policisë greke Fotis Nassiakos tha sot në një konferencë shtypi në Athinë se një ndër personat e kapur, i quajtur Vassilis Xiros, pranoi se ka marrë pjesë në atentatin e ushtarakut Stephen Saunders, atashe ushtarak i Britanisë së Madhe në Greqi, në qershor të vitit 2000. Zoti Sanders ishte personi i fundit që u vra nga ky grup.

Zoti Nassiakos thotë se vëllai i Vassilis Xiros pohoi se ka marrë pjesë në nëntë sulme nga viti 1984 deri në vitin 1992. Ndër viktimat e sulmeve përfshihen Kapiteni William Nordeen, atashe i Marinës Amerikane në vitin 1988, si dhe reshteri i forcave ajrore amerikane Ronald Steward në vitin 1991.

Ai thotë se një person i tretë pohoi se ka marrë pjesë në një numër sulmesh me bomba si dhe grabitje.

Policia tha se një person që u arrestua dje në Ishullin Lipsi të Egjeut është një ndër organizatorët e grupit 17 nëntori. Ai është identifikuar si Alexandros Giotopoulos, një profesor ekonomie i lindur në Francë. I dyshuari është afër të 60-ave dhe babai i tij ishte një ndër pasuesit e sovjetikut Leon Trocki.

Policia greke është kritikuar më parë se nuk kishte arritur të arrestonte ndonjë prej anëtarëve të grupit, pavarësisht nga sulmet e tyre terroriste. Por diplomatët thonë se Greqia duket që po bën përpjekje për ta shkatërruar këtë organizatë, ndërkohë që përgatitet për Lojrat Olimpike Verore të cilat do të zhvillohen në këtë vend në vitin 2004.

XS
SM
MD
LG