Lidhje

Zëvendës-sekretari amerikan i mbrojtjes në Turqi - 2002-07-18


Presidenti Bush e ka akuzuar qeverinë e Bagdatit se përkrah terrorizmin dhe prodhon armë të shkatërrimit në masë. Për të siguruar përkrahje për një goditje të mundshme ushtarake amerikane kundër Irakut zëvendës-sekretari amerikan i mbrojtjes Paul Wolfowitz shkoi në Turqi, për të diskutuar me udhëheqësit turq: Zëvendës-sekretari amerikan i mbrojtjes Paul Wolfowitz tha dje se regjimi irakian mbetet armiqesor ndaj Shteteve të Bashkuara dhe se Turqia do të përfitonte nga rrëzimi i presidentit irakian Sadam Husein. Zoti Wolfowitz qendroi dy dite në Turqi për bisedime, që synonin të siguronin përkrahje për veprime të mundshme ushtarake kundër qeverisë së Bagdatit: "Regjimi aktual në Irak është një kërcënim serioz ndaj Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera pasi është armiqsor ndaj nesh, pasi përkrah terrorizmin, ka armë të shkatërrimit në masë dhe përpiqet të prodhojë armë të tjera. Por presidenti ende nuk e ka marrë vendimin e vështirë për veprimet që duhen ndërmarrë për t’iu kundërpërgjigjur këtij rreziku. Këndvështrimi turk në këtë drejtim ishte një ndër synimet e diskutimeve të mia". Turqia e ka pritur me shqetësim mundësinë e ndonjë veprimi ushtarak amerikan kundër fqinjit të saj, Irakut, me frikën se mund të çojë në një valë refugjatësh kurdë nga rajonet kufitare irakiane. Ndërkaq, dje Sadam Huseini tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nuk do të jenë kurrë në gjendje të përmbysin qeverinë e tij dhe se irakianët janë të përgatitur dhe të pajisur mirë për të mbrojtur vendin e tyre kundër ndonjë sulmi ushtarak. Në fillim të këtij viti, presidenti amerikan George Bush nënshkroi një urdhër egzekutiv në të cilin e udhëzonte CIA-n të shtonte përkrahjen për grupet opozitare irakiane. Zyrtarët amerikanë u takuan në Londër të shtunën me një prej këtyre grupeve, Këshillin Kombëtar Irakian, të përbërë nga ish ushtarakë irakianë. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit, Tawfik al-Yassiri tha se do të mbështesin çdo përpjekje për rrëzimin e Sadam Huseinit: "Oficerët shprehën gatishmërinë e tyre të plotë për të marrë pjesë në përpjekjet opozitare ushtarake dhe për të mbajtur një pjesë të përgjegjësisë në përpjekjet për rrëzimin e regjimit diktatorial". Nëse dështojnë këto përpjekje, disa mendojnë se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime ushtarake.

XS
SM
MD
LG