Lidhje

Gadishmëri e lartë në Izrael - 2002-07-18


Policia izraelite është vënë në gjendje të lartë gatishmërie pas dy shpërthimeve vetvrasëse në Tel-Aviv, në të cilat u vranë 5 veta, duke përfshirë edhe vetë autorët e incidenteve, dhe u plagosën rreth 40 të tjerë. Dy nga të vrarët ishin punëtorë të huaj, ndërsa i treti shtetas izraelit. Shumica e të plagosurve janë të huaj që punojnë në Izrael.

Grupi ekstremist palestinez, Xhihadi Islamik, mori përgjegjësi për shpërthimin. Zyrtarët e Autoritetit Palestinez e dënuan vrasjen e civilëve. Qeveria izraelite ia hodhi fajin udhëheqësit palestinez, Yasser Arafat, duke thënë se ai nuk bërë asnjë përpjekje për të ndalur gjakderdhjen. Shpërthimet i dhanë fund periudhës 27 ditëshe gjatë së cilës brenda Izraelit nuk pati sulme terroriste palestineze.

Ndërkaq presidenti Bush i cilësoi shpërthimet e fundit vetvrasëse në Izrael akte të urryer terrori, por tha se nuk do të lejojë që ato të pengojnë përpjekjet për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Sot, Sekretari i Shtetit, Colin Powell do të zhvillojë një takim në Uashington me ministrat e jashtëm të Egjiptit, Jordanisë dhe Arabisë Saudite. Bisedimet pritet të përqendrohen në rrugët për të reformuar agjencitë palestineze të sigurimit, një nga përparësitë kryesore të Shteteve të Bashkuara.

Edhe Presidenti Bush ka bërë thirrje për një udhëheqje të re palestineze, duke thënë se Yassser Arafati e ka lënë të zhgënjyer popullin palestinez. Por në bisedimet që zhvilluan këtë javë në Nju Jork me diplomatë të Rusisë, të Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara, zyrtarët amerikanë nuk gjetën mbështetje për një pikpamje të tillë.

XS
SM
MD
LG