Lidhje

Ali Ahmeti: duhet ndriçuar fati i të zhdukurve - 2002-07-20


Ali Ahmeti, ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, i cili drejton tani Partinë Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerësoi sot një raport të komisionit për personat e zhdukur dhe të rrëmbyer gjatë konfliktit të armatosur të vitit të kaluar në Maqedoni, duke thënë se ”e di dhe e kupton që mund të ketë edhe ndjenja mllefi ndaj tij”. Zoti Ahmeti shpreh keqardhjen për faktin se komisioni ndërkombëtar për këtë problem, i kryesuar nga ambasadori Lars Wahlund, nuk arriti të zbulojë se çfarë ka ndodhur me këta persona për shkak të sasisë të pamjaftueshme të informacioneve të ofruara, përfshirë këtu edhe informacionet nga ish­strukturat e UÇK­së.

Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së thotë se është përpjekur të ndihmojë në gjetjen e këtyre personave, nga të cilët 13 janë maqedonas, 6 shqiptarë dhe një boshnjak, duke orientuar hetimet drejt burimeve të mundshme që mund të kenë njohuri për fatin e tyre. Zoti Ahmeti thotë se e ka takuar personalisht ambasadorin Wahlund dhe se ka siguruar takim më të gjerë me ish-komandantët e UÇK-së. Ai konfirmon edhe krijimin e një komisioni nga ish-UÇK-ja për të ndihmuar në gjetjen e informacionit për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.

Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së nënvizon se qartësimi i fatit të të zhdukurve që u përkasin komuniteteve të ndryshme është qenësore për normalizimin e plotë të gjendjes në Maqedoni dhe thekson se të gjitha palët duhet të vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi. Zoti Ahmeti thekson gjithashtu se ish­UÇK-ja e ka njohur gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi dhe Konventën e Gjenevës dhe, si formacion ushtarak, ka pasur rregullat e veta të veprimit të cilat kanë qenë të detyrueshme për secilin anëtar të saj. Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së nënvizon megjithatë se ai nuk ka pasur kontroll ose dijeni në secilën ngjarje të vitit të kaluar dhe nuk pajtohet me ata që nuk kanë ofruar informacione për këtë çështje.

Zoti Ahmeti thekson se nëse zbulohen ata që i kanë kryer këto veprime dhe nëse vërtetohet se ata kanë qenë ish-anëtarë të UÇK-së, atëherë e vetmja gjykatë që mund të ngrejë procedurë të paanshme penale kundër tyre, do të ishte Gjykata e Hagës. Zoti Ahmeti thotë se ish-UÇK-ja i njeh dhe i respekton vendimet e këtij tribunali dhe se do të bashkëpunojë sinqerisht me të. Ai kërkon gjithashtu që edhe autoritetet e ministrisë së brendshme të Maqedonisë të bashkëpunojnë në mënyrë të sinqertë në zbulimin e personave që i kanë kryer këto veprime, sepse kështu do të dëshmohej se Maqedonia është shtet juridik ku vlen parimi i sundimit të ligjit dhe sejcili që kryen vepër penale do të ndiqej pavarësisht nga funksioni apo pozita. Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së vlerëson se edhe për rastet e 6 shqiptarëve të zhdukur, kompetent duhet të jetë Tribunali i Hagës.

Ndërkohë po sot, media zyrtare citoi një deklaratë të ministrit të brendshëm maqedonas, Lube Boshkovski, në të cilën ai e pranon se gjatë konfliktit ka armatosur popullin maqedonas. “Kishte vetëm një marrëveshje se si të armatoseshin qytetarët e Gostivarit për të mbrojtur qytetin”, tha mbrëmë ministri i brendshëm në Gostivar, i cituar nga agjensia zyrtare e lajmeve MIA.

Duke iu referuar koalicionit qeveritar, të krijuar vitin e kaluar me pjesëmarrjen e katër partive më të mëdha politike, dy shqiptare dhe dy maqedonase, zoti Boshkovski, tha se ai u kishte thënë atyre se po e ”armatoste kombin maqedonas” dhe se ata e ”kishin tradhëtuar tek komuniteti ndërkombëtar” dhe se ”kishin qenë të angazhuar që ta shihnin zotin Boshkovski në Hagë”.

XS
SM
MD
LG