Lidhje

Bisedime izraelito-palestineze - 2002-07-20


Ministri i jashtëm izraelit, Shimon Peres, dhe kryenegociatori palestinez, Saeb Erekat, do të kryesojnë delegacionet përkatëse gjatë një takimi të nivelit të lartë mbi marrëdhëniet në Lindjen e Mesme.

Të dyja palët kanë në plan të diskutojnë mënyrat për përmirësimin e gjendjes ekonomike në territoret palestineze dhe ruajtjen e sigurisë për izraelitët.

Kjo mbledhje zhvillohet një ditë pasi Izraeli tha se po shqyrtonte mundësinë e dëbimit në Rripin e Gazës të 22 meshkujve nga familjet e dy ekstremistëve palestinezë, të kërkuar për sulme kundër izraelitëve. Trupat izrelite i ndaluan dje në Bregun Perëndimor personat që Izraeli synon ti dëbojë.

Takimi i sotëm ishte planifikuar të zhvillohej të mërkurën, por Izraeli e shtyu atë pas vrasjes së 8 personave në një pritë terroriste pranë një kolonie hebraike në Bregun Perëndimor.

Ndërkohë kryeminsitri izraelit, Ariel Sharon, po dërgon dy ndihmës të lartë në Washington për bisedime me këshilltaren për çështje të sigurimit kombëtar në adminsitratën e presidentit Bush, Kondoliza Rajs.

Ndërkaq, policia izraelite thotë se një burrë humbi jetën kur makina e tij shpërtheu sot herët pranë një xhamie në Xhafa pranë Tel Avivit, qytet ku izraelitët dhe arabët jetojnë pranë njëri-tjetrit. Rrethanat e incidentit nuk ishin të qarta. Gjetkë, sipas burimeve palestineze, forcat izraelite, të shoqëruara me buldozerë, hynë sot në mëngjes në kampin e refugjatëve Rafah në Gazën Jugore dhe shembën disa shtëpi.

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe, Amr Musa, dënoi një propozim izraelit për të dëbuar të afërmit e ekstremistëve palestinezë në përpjekje për të frenuar sulmet vetëvrasëse.

Kreu i organizatës me qendër në Kajro u tha gazetarëve se plani i Izraelit është agresion dhe nuk përputhet me të drejtën ndërkombëtare. Zoti Moussa tha se ky propozim do të sabotonte përpjekjet e vendeve arabe dhe të komunitetit ndërkombëtar për të zgjidhur konfliktin izraelito-palestinez përmes kanaleve diplomatike.

Presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, paralajmëroi se strategjia e Izraelit ndaj ekstremistëve palestinezë mund të ketë ndikim të kundërt dhe mund të çojë në shpërthime të tjera vetëvrasëse. Zoti Mubarak i bëri këto komente në Gjenevë të Zvicrës, pas një takimi privat me udhëheqësit e Arabisë Saudite dhe të vendeve të tjera të Gjirit Persik.

Dje, Izraeli propozoi dëbimin në Rripin e Gazës të anëtarëve të familjeve të palestinezëve nga Bregu Perëndimor, për të cilët është provuar se kanë lidhje me sulmet kundër hebrenjve. Zyrtarë izraelitë ngulin këmbë se dëbimet do të frenojnë sulme terroriste në të ardhmen.

Por zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit, Riçërd Bauçer, tha se ndërmarrja e masave ndëshkuese ndaj njerëzve të pafajshëm nuk do të zgjidhë problemet e Izraelit mbi çështjet e sigurimit. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, tha se vetëmbrojtja nuk justifikon masa që përbëjnë ndëshkim kolektiv.

Prokurori i përgjithshëm izraelit, Eliakim Rubinshtajn, tha gjithashtu se të afërmit e të dyshuarve nuk duhet të dëbohen pa patur prova të qarta se edhe ata janë përfshirë në veprimtari terroriste.

XS
SM
MD
LG