Lidhje

Itali: aksident hekurudhor - 2002-07-21


Autoritetet në Siçili thonë se të paktën 8 vetë humbën jetën dhe më shumë 40 të tjerë u plagosën, kur një tren ekspres doli nga shinat dhe u përplas në një shtëpi pranë qytetit të Messinës. Mes viktimave ishte edhe një familje prej 4 vetësh nga Maroku, si dhe një nga makinistët e trenit, i cili po udhëtonte drejt Venecias në Italinë e Veriut. Sipas një njoftimi, shumë prej pasagjerëve ishin turistë të huaj. Treni doli nga shinat mbrëmë rreth orës 7:00 pranë një ure në Siçilinë verilindore. Ekipet e shpëtimit kanë punuar gjatë gjithë natës duke kërkuar për persona të mbetur në mbeturinat e trenit.

Ndër shkaqet e mundshme që po shqyrtohen nga hetuesit është shpejtësia e madhe, një problem me frenat e trenit dhe mundësia që treni të ketë ndeshur në një pengesë mbi shina. Mbi fatkeqësinë kanë filluar tre hetime.

Autoritetet thanë se trenit i ishte bërë kontrolli teknik pak ditë më parë dhe dukej se funksiononte në rregull. Politikanët siçilianë, shumë prej të cilëve mbërritën në vendngjarje pak pas incidentit, ia vunë fajin rrjetit të vjetëruar të hekurudhave dhe lënien e vazhdueshme pas dore nga ana e qeverive të ndryshme italiane.

Rreth 190 pasagjerë ndodheshin në tren i cili ishte nisur nga kryeqyteti i Siçilisë, Palermo dje mbasdite. Kur treni po i afrohej stacionit në Rometta Marea, rreth 35 kilometra nga qyteti i Messinës, treni doli nga shinat dhe u përlas në një ndërtesë, e cila nuk kishte njeri brenda, pasi pronarët e saj kishin dalë për shëtitje.

5 nga të 7 vagonat e trenit u përfshinë në përplasje. Më pas, u dëgjuan thirrje njerëzish që kërkonin njëri-tjetrin nëpër vagonat e rrënuar. Disa pasagjerë dolën nga dritaret dhe u përpoqën të ndihmonin të plagosurit.

Zona e përplasjes ndodhet larg nga rrugët kryersore dhe sipasojë ndihma e shpejtë u vonua paksa. Por zjarrfikësit dhe ambulancat nxituan për në vendngjarje, siç bënë edhe qindra punonjës të ekipeve të shpëtimit e vullnetarë.

Ekipet e shpëtimit arritën të nxjerrin kufomat e viktimave nga treni, përfshirë edhe atë të njërit prej mekanikëve të trenit. Dhjetra persona të tjerë të plagosur në këtë aksident u dërguan në një spital afërt Messinës.

XS
SM
MD
LG