Lidhje

Palestinezët kërkojnë hakmarrje për sulmin izraelit me raketa - 2002-07-23


Pjesëmarrësit në ceremonitë e varrimit në qytetin e Gazës kërkuan hakmarrje për sulmin izraelit me raketa, nga i cili u vra njëri prej ekstremistëve kryesorë palestinezë dhe 14 persona të tjerë, mes tyre 9 fëmijë.

Nga sulmi mbrëmë vonë mbeti i vrarë Salah Shehade, shef i krahut ushtarak të grupit Hamas. Por sulmi me raketa shkatërroi gjithashtu disa ndërtesa në një lagje me popullsi të dendur në qytetin e Gazës. Gruaja e zotit Shehade dhe tre fëmijët e tyre ishin midis të vrarëve. Më shumë se 150 palestinezë të tjerë u plagosën.

Dhjetra mijëra palestinezë morën pjesë dje në funeralin e zotit Shehade. Qindra pjesëmarrës hapën zjarr në ajër, ndërkohë që grumbulli i njerzve hidhte sllogane anti-izraelite.

Izraeli po kritikohet gjerësisht për sulmin. Kryeministri Ariel Sharon e quajti sulmin një nga sukseset më të mëdha izraelite por shprehu keqardhje për vrasjen e njerëzve të pafajshëm.

Zoti Shehade ishte në krye të listës së Izraelit të personave më të kërkuar. Zyrtarët izraelitë thonë se ai ishte organizatori i qindra sulmeve kundër ushtarëve dhe civilëve izraelitë gjatë 2 vjetëve të kaluara.

Zyrtarë nga Evropa, bota arabe dhe Kombet e Bashkuara dënuan gjithashtu sulmin izraelit. Ministri i jashtëm i Egjiptit, Ahmed Maher e akuzoi Izraelin për kryerjen e një krimi lufte. Bashkimi Evropian u shpreh se Izraeli përdori forcë shumë të tepruar dhe shtoi se sulmi nuk mund të justifikohej në asnjë lloj rrethane.

XS
SM
MD
LG