Lidhje

Fondacioni IFES mbi procesin zgjedhor në Shqipëri - 2002-07-24


Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemin e Zgjedhjeve vepron prej disa vitesh në Shqipëri në drejtim të ngritjes së strukturave të nevojshme që të mundësojnë zgjedhje të lira dhe të drejta. Në një diskutim në Washington, përfaqësues të këtij fondacioni shprehen me optimizëm për arritjet e deritanishme në bashkëpunimin me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve por theksojnë se mbetet ende shumë punë për të bërë në drejtim të funksionimit të komisioneve vendore.

Proceset demokratike nuk bazohen në formula të ngrira, thotë drejtuesi i Projektit IFES në Shqipëri, Dickson Bailey. Demokracia në çdo vend duhet të zhvillohet në përshtatje me vendin dhe popullin përkatës. Sapo filloi veprimtarinë e tij në Shqipëri, profesionalizmi dhe paanshmëria e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishin pikësynimi kryesor i Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemin e Zgjedhjeve:

“Synimi ynë ishte të emëroheshin individë, që respektoheshin nga të gjitha forcat politike si dhe publiku, të cilët të ishin në gjendje të kapërcenin preferencat partiake për të mundësuar një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë,” thotë zoti Bailey. Pavarësisht nga arritjet e komisionit qendror të zgjedhjeve, ai thekson se funksionimi i komisioneve zgjedhore vendore mbetet problematik:

“Përfaqësuesit e partive të ndryshme politike në këto komisione marrin udhëzime nga partia, jo nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Anëtarët e komisioneve vendore nuk paguhen si duhet, gjë që i bën të lëkundur para rryshfeteve apo trysnisë nga partitë politike, thotë drejtuesi i zyrës së IFES-it në Shqipëri, Dickson Bailey.

Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemin e Zgjedhjeve po punon për krijimin e një tradite zgjedhjesh të lira dhe të drejta në Shqipëri. Por siç thekson zoti Bailey, demokracia nuk përfundon me hedhjen e votës së lirë dhe vota nuk duhet shndërruar në provë besnikërie për klanet apo grupimet politike. Për të thyer këtë cikël, do të duhet të krijohet më parë një traditë dhe kulturë demokratike, por, shpjegon zoti Bailey, proceset e brendshme partiake shpesh bëhen pengesë:

“Partitë politike janë shumë të papjekura. Atyre u mungon një proces i brendshëm demokratik dhe dominohen nga një apo dy udhëheqës kryesorë. Si rrjedhojë kandidatët në zgjedhje piketohen nga drejtuesit e partisë. Do të duhet kohë që procesi demokratik të zhvillohet dhe të sjellë ndryshimet e nevojshme,” thotë zoti Bailey. Fondacioni IFES po përpiqet të ndërgjegjësojë elektoratin për forcën dhe përgjegjësinë që shoqërohet me të drejtën e votës së lirë, përmes fushatave informative të cilat përqëndrohen para zgjedhjeve. Ndërkaq, vetë punonjësit e fondacionit përpiqen të përdorin përvojën e tyre për të sjellë një kulturë të re në procesin zgjedhor në Shqipëri. Zonja Dinora Aleksi, punonjëse për Projektin IFES në Shqipëri, ka ardhur në Shtetet e Bashkuara për një kurs kualifikimi në Çikago, ku shpreson të përfitojë një përvojë të vlefshme.

Fondacioni organizon kurse të shumta kualifikimi edhe në Shqipëri me pjesëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe pohon se ky proces ka dhënë rezultate shumë të kënaqshme.

XS
SM
MD
LG