Lidhje

Millosheviç-rrezik infarkti - 2002-07-25


Pasi u njoftuan nga mjeku se Slobodan Miloseviçi është në rrezik serioz për infarkt, gjykatësit e Hagës u munduan ta bindin të akuzuarin të marrë avokat në mënyrë që t’i lehtësohet ngarkesa e punës. Ish presidenti jugosllav e ka mbrojtur veten, pa ndihmën e një avokati para Gjykatës së Hagës.

Tre gjykatësit thonë se janë shumë të shqetësuar: nga vizita mjeksore që kërkuan për ish presidentin jugosllav del se ai është në rrezik të madh kardio-vaskular. Mjekët e tij rekomanduan pakësimin e vëllimit të punës. Një gjë e tillë s’është e lehtë për Sllobodan Millosheviçin, i cili ka mbrojtur veten përballë akuzave për krime lufte në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci. Ai ndodhet në sallën e gjyqit nga gjashtë orë çdo ditë dhe e kalon një pjesë të mirë të kohës duke marrë në pyetje dëshmitarët.

Jashtë gjykatës, ai ka dhjetëra mijëra faqe me prova për të studiuar. Sot, gjykatësit i rekomanduan të akuzuarit të marrë një avokat për të lehtësuar punën. Por zoti Miloseviç tha se nuk do të luajë nga qëndrimi që ka mbajtur që në fillim të gjyqit për të mos marrë avokat.

Sllobodan Millosheviçi thotë se nuk kishte kërkuar të bënte vizitë mjeksore dhe e pranoi një gjë të tillë vetëm në shenjë mirësjelljeje. Tani që u morën rezultatet e vizitës, u tha ai gjykatësve, le të merren ata vetë me këtë çështje.

Gjykata ka humbur rreth një muaj kohë si pasojë e problemeve shëndetësore të zotit Miloseviç. Gjykatësit synojnë të vazhdojnë pa vonesë dhe u dhanë sot urdhër prokurorëve t’i japin fund paraqitjes së argumentave të tyre brenda muajit maj të vitit tjetër dhe ta kufizojnë listën e tyre të dëshmitarëve në rreth 100 vetë.

Ndërkaq, njeriu i parë i rrethit të brendshëm të zotit Milosheviç dëshmoi kundër ish-presidentit jugosllav. Rade Markoviç, i cili më parë drejtonte shërbimin serb të sigurimit shtetëror, i tregoi gjykatës se zoti Miloseviç kishte dhënë urdhër për të kaluar fonde nga agjencia federale e doganave në policinë shtetërore serbe në Kosovë. Ai dëshmoi se presidenti informohej çdo ditë mbi zhvillimet e atjeshme.

XS
SM
MD
LG