Lidhje

Filmi i fundit i Steve Soderberg Full Frontal - 2002-07-26


Regjisori i famshëm Steve Soderberg po e reklamon projektin e tij të fundit si film për njerëzit që pëlqejnë filmat. Full Frontal vjen 12 vjet pas suksesit të Soderbergut me filmin Sex, Lies, and Videotape. Tani ai bashkohet përsëri me Miramax Films për të analizuar jetën intime të shtatë personazheve, miq me profesion aktorë të cilët përballen me telashet e jetës.

Julia Roberts e cila fitoi Oscarin për rolin që Soderberg i besoi në filmin Erin Brockovich, luan një aktore e cila lufton për të marrë rolin e një gazetareje. Filmi është realizuar me një buxhet shumë të vogël, aq sa aktorëve u është dashur të luajnë me garderobën e tyre personale. Fillon të shfaqet në 2 gusht.

Yjet e muzikës rep, Eminem dhe Missy Elliott janë pretendentët kryesorë në konkurimin e 19 të MTV Video Music Awards. Video e fundit e këngës së Eminem Without Me dhe One Minute Man e Elliott kanë nga gjashtë kandidatura secila. Ceremonia e dhënies së çmimeve do të zhvillohet më 29 gusht në New York.

Këngëtari i grupit NSync, Lance Bass duket se po i konfirmon planet e tij të udhëtimit... në stacionin orbital ndërkombëtar. Ai nënshkroi një kontratë paraprake me zyrtarët rusë, kontratë e cila e çon atë një hap më pranë fluturimit me kozmonautët që është planifikuar për në tetor. Në se 23 vjeçari arrin të sigurojë kontratën finale ai do të bëhet turisti i tretë që udhëton në bordin e një anijeje ruse të hapësirës pas milionerit amerikan Dennis Tito dhe jugafrikanit Mark Shuttleworth, të cilët paguan biletën për plotësimin e ëndrës së tyre, 20 milion dollarë secili.

Aktori Bruce Willis ka një bashkëpunëtore pak të pazakontë, kohët e fundit, zonjën e parë amerikane Laura Bush. Të dy shfaqen së bashku në një reklamë të re televizive që promovon birësimin e fëmijëve. Willis do të jetë tani zëdhënës zyrtar për birësimin e fëmijëve në gjithë Shtetet e Bashkuara. Si prind tha Willis e kuptoj rëndësinë që fëmijët të rriten me dashuri dhe si figurë publike dua tu kushtoj atyre kohën dhe energjitë e mija. Edhe Shtëpia e Bardhë ndërmori këtë javë një fushatë për të inkurajuar amerikanët të birësojnë sa më shumë fëmijë jetimë.

XS
SM
MD
LG