Lidhje

Presidenti shqiptar dekretoi qeverinë e re - 2002-07-29


Kryeministrit të ri Fatos Nano i mbetet tani të kalojë edhe votimin në parlament për të nisur plotësisht punën me qevernë e tij. Sot në mesditë ai mori më fund në dorë dekretin e presidentit Alfred Moisiu.

Të shtunën, kreu i shtetit, kishte kërkuar kohe para se të firmoste listën e ministrave të rinj. Gjatë dy ditëve ai kontaktoi prokurorin e Përgjithshëm dhe kreun e Shërbimeve sekrete për të verifikuar figurat e ministrave të përzgjedhur dhe vetëm sot nënshkroi dekretimin e tyre.

Pasi kapërceu këtë hallkë, kryeministri Fatos Nano, shkoi menjëherë pranë grupit parlamentar të partisë së tij. Zëra të vecantë deputetësh kishin shprehur publikisht rezerva ndaj përbërjes së qeverisë së re. Gjë e cila duke llogaritur dhe mospërfshirjen në qeveri të socialdemokratëve, mund të krijonte vështirësi në votimin në parlament. Por këto zëra kundër pothuajse nuk u dëgjuan. Si gjithnjë përpara interesit të pushtetit socialistët i dhanë mbështetje me konsensus kabinetit të ri që tani e tutje do të drejtohet nga kryetari i tyre.

Pas afro dy orë qëndrimi në grupin parlamentar, sirenat e policisë njoftuan spostimin e kryeministrit të ri nga kryesia e parlamentit, 100 metra më tutje, në godinën përballë, atë të qeverisë. Këtu ministrat e rinj po prisnin të nënshkruanin, si asnjëherë më parë një kontratë të vecantë me kryeministrin. Në një nga zyrat e selisë së tij të re, kryeministri Nano firmosi me secilin anëtarë të kabinetit të tij marrëveshjen e bashkëpunimit dhe bashkëqeverisjes. Cdo ministër me anë të këtij akti angazhohej për realizimin e objektivave të caktuara për sektoin që do të drejtojë në të ardhmen. Një praktikë e pazbatuar më parë e që nuk dihet se sa do të ndikojë në suksesin e qeverisë së katërt që merr përsipër të drejtojë kryetari socialist Nano. Përbërja e kabinetit të tij dhe programi do të paraqiten pasdite në parlament. Që nesër pritet të nsin debatet dhe diskutimet, ndërsa të mërkurën është parashikuar votimi.

XS
SM
MD
LG