Lidhje

Partitë shqiptare në Maqedoni nuk pranojnë koalicion me njëra-tjetrën - 2002-07-29


Në Maqedoni, 4 partitë politike shqiptare që marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 15 shtatorit, do të shkojnë vec e vec në to. Burime nga të katra partitë shqiptare, PDSH, PPD, BDI dhe PDK, konfirmojnë se janë të përgatitura tashmë për të shkuar me ofertat, platformat dhe listat e kandidatëve të tyre në këto votime, të parat në Maqedoni, pas konfliktit të vitit të kaluar dhe ndryshimeve kushtetuese.

Mundësitë për koalicione parazgjedhore u shkatërruan përfundimisht dje kur BDI, partia e kryesuar nga Ali Ahmeti, vendosi të dalë vetëm në zgjedhje duke thënë se mundësitë për koalicione i kishte parë përmes këshillit bashkërendues të bllokut politik shqiptar, i cili sipas tyre nuk funksionoi për shkak të egoizmit të partive shqiptare.

Ndërkohë parti të tjera shqiptare fajësuan BDI dhe udhëheqësit e saj për dështimin e negociatave për koalicione para-zgjedhore. PDSH e Arbër Xhaferrit ishte që më parë e pozicionuar për të shkuar vetëm në zgjedhjet parlamentare të shtatorit ndërkohë që bisedimet për koalicione parazgjedhore bëheshin midis BDI-së, PDK-së dhe PPD-së, por përfundimisht pa asnjë rezultat.

Dalja e katër partive shqiptare vec e vec në zgjedhje, pritet të ndikojë ndjeshëm në numrin e deputetëve të ardhshëm shqiptarë në parlamentin e vendit ku në zgjedhjet e fundit, u arrit të fitoheshin vota për 24 deputetë shqiptarë. Sistemi i kombinuar 80 deputetë me system maxhoritar dhe 40 deputetë me system proporcional, i cili u përdor në zgjedhjet e fundit, ishte i pafavorshëm për shqiptarët.

Sistemi zgjedhor proporcional i pastër i cili do të përdoret në 15 shtator krijon mundësi që shqiptarët në Maqedoni të arrijnë të kenë nga 27 deri në 30 deputetë në parlamentin e ardhshëm dhe të jenë një faktor vendimtar në krijimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës. Por ndarja faktike e bllokut politik shqiptar bën edhe ndarjen e votave të 300 mijë votuesve shqiptarë që pritet të marrin pjesë në zgjedhje.

Përshembull, në një njësi të vetme zgjedhore me 50 mijë votues shqiptarë sic është njësia një që përfshin një pjesë të Shkupit dhe ku mund të fitojnë 3 deri në 4 deputetë shqiptarë, mund të ndodhë që për shkak të shpërndarjes së votave në 4 parti shqiptare, të fitojnë vetëm dy deputetë. E njëjta gjë mund të ndodhë me njësinë zgjedhore numër 2 me 63 mijë votues shqiptarë, me njësinë numër 5 me 40 mijë votues shqiptarë dhe me të tjerat.

Njësia zgjedhore e cila duhet të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve shqiptarë, është njësia numër 6 që përfshin Tetovën dhe Gostivarin, me 190 mijë votues shqiptarë, nga ku duhet të dalin 14 deputetë shqiptarë. Por ka një numër faktorësh të pritshëm që sipas parashikimeve të analistëve vendas do të ndikojnë ndjeshëm në këto zgjedhje: së pari, ndarja e bllokut politik shqiptar në 4 kampe, së dyti, zvogëlimi i listës së votuesve shqiptare sepse një pjesë e tyre nuk gjenden tani në Maqedoni ose sepse mund të mos marrin pjesë në votime për një arsye ose një tjetër dhe incidentet e mundshme që mund të frikësojnë votuesit.

XS
SM
MD
LG