Lidhje

Kalendari Historik 30 korrik - 2002-07-30


Më 30 korrik 1619, në koloninë britanike të Virxhinias, filloi punimet Asamblea e parë Legjislative në Amerikë. Takimi u mbajt në një kishë të vjetër, në Jamestown, në bazë të së drejtës që i jepte Karta mbretërore Kompanisë së Virxhinias me seli në Londër. Asamblea, e quajtur Dhoma e Përfaqësuesve, përbëhej nga guvernatori mbretëror, 6 persona të emëruar prej tij dhe 30 përfaqësues të zgjedhur nga plantacionet e kolonisë. Megjithëse vendimet e marra nga Dhoma e Përfaqësuesve duhet të miratoheshin nga selia e Kompanisë Virginia, në Londër, historianët thonë se kjo asamble ishte një nga farat, prej të cilave më vonë do të dilte qeveria përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara.

Më 30 korrik 1973 në një rrugë të pjerrët të San Franciskos, në Kaliforni, u bë prova e vagonit të parë me kabëll në botë. Kur shpikësi i këtij mjeti, Andrew Hallidie, dha sinjalin që vagoni me kabëll të fillonte zbritjen tatëpjetë rrugës së pjerrët Clay Street Hill, drejtuesi i tij i trembur u hodh nga vagoni. Zoti Hallidi hipi në vagon, mori drejtimin e tij dhe e zbriti vagonin poshtë kodrës pa vështirësi. Të nesërmen shpikësi krijoi hekurudhën e Clay Street Hill. Linja ishte 853 metra e gjatë dhe udhëtonte lart e poshtë kodrës 37 metra të lartë, aq sa lartësia e Statujës së Lirisë. Sot vagonat me kabëll vazhdojnë të përdoren akoma në kodrat e thepisura të San Franciskos dhe i tërheqin mjaft turistët që vizitojnë qytetin.

XS
SM
MD
LG