Lidhje

Banka Botërore optimiste për Shqipërinë - 2002-07-31


Christian Poortman, koordinator për Evropën juglindore pranë Bankës Botërore thotë se është i inkurajuar nga programi i qeverisë së re shqiptare, por mendon se rëndësi ka edhe zbatimi i politikave që përcaktohen. Para pak ditësh, zoti Poortman bashkë me nënpresidentin e Bankës, Johannes Lynn, vizitoi Kosovën dhe Shqipërinë. Ata përshkuan me automjet distancën Kukës-Durrës për të parë në terren mundësitë praktike të ndërtimit të një rruge që do të lidhte këto dy pika, projekt i cili gëzon mjaft mbështetje në Shqipëri. Zoti Poortman komentoi për këto tema në një intervistë që i dha kolegut tonë Ilir Ikonomi.

IK: Zoti Poortman, ju ishit kohët e fundit në Shqipëri dhe në Kosovë. Si e shikoni perspektivën e zhvillimit të tyre ekonomik?

CP: Më lejoni t’i marr ato veç e veç. Përsa i përket Shqipërisë, mendoj se gjatë vizitës që bëra së bashku me nënpresidentin e Bankës, zotin Johannes Linn, më bëri përshtypje niveli i përparimit që është arritur atje qysh nga fillimi i viteve 90. Natyrisht që gjatë kësaj periudhe ka patur edhe pengesa si dhe çështje politike, por ekonomia është rritur në 6 deri në 7 përqind në vit. Kjo do të thotë se prodhimi i përgjithshëm kombëtar për frymë që ne zakonisht përdorim si ekonomistë është katërfishuar qysh nga fillimi i viteve 90, pra nga 300 në 1200 dollarë për frymë. Kjo përbën një rritje të konsiderueshme. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka probleme. Ka shumë probleme ashtu si në çdo vend tranzicioni. Ato lidhen me çështje të tilla të rëndësishme për këto vende si krijimi i një mjedisi për rritje të qendrueshme, pakësimi i ndihmës nga jashtë, problemi i sektorit të energjisë, sidomos për Shqipërinë, e të tjera. Pra ne jemi mjaft optimistë, në rast se nuk do të ketë kthime të tjera prapa veçanërisht në çështjet politike.

IK: ...dhe për Kosovën?

CP: Përsa i përket Kosovës, e ardhmja e saj është shumë e lidhur me atë që do të ndodhë me këtë territor. Unë nuk jam politikan por mjafton të them se zhvillimi ekonomik është e nevojshme të bazohet mbi stabilitetin, sigurinë, me një të ardhme të parashikueshme dhe këto gjëra tani për tani ende nuk janë vendosur në Kosovë. Nga ana tjetër, 3 vjet pas vitit 1999, zotit Linn dhe mua na bëri shumë përshtypje niveli i përparimit që është arritur përsa i përket shërimit të plagëve të konfliktit. Në fakt atje po bëhen shumë investime private, shumë para po hyjnë nga bashkatdhetarët që jetojnë jashtë. Por mendoj se që zhvillimi të bëhet i qendrueshëm dhe që komunitetit ndërkombëtar t’i krijohen kushtet për tu tërhequr gradualisht, është e nevojshme që të ketë investime private, të cilat mendoj se janë të lidhura me faktorët ekonomikë por edhe me ata politikë.

IK: Zoti Poortman, e di se Banka Botërore nuk komenton për zhvillimet politike në vende të ndryshme. Por ndryshimet e shpeshta politike natyrisht që ndikojnë në projektet e Bankës. Çfarë vështirësish krijojnë ndryshime të tilla, për shembull në rastin e Shqipërisë me ndryshimin e qeverisë kohët e fundit?

CP: Keni të drejtë. Unë nuk dua të komentoj për këto gjëra por natyrisht tronditjet politike të çdo lloji e heqin vemendjen nga çështjet e politikës ekonomike. të gjitha këto ndryshime politike gjithnjë kanë ndikim mbi politikën ekonomike dhe menaxhimin ekonomik dhe në këtë vështrim tronditjet politike është e nevojshme të pakësohen në minimum. Megjithatë, më lejoni të them se gjatë disa viteve të fundit ne kemi parë në Shqipëri një lëvizje të vazhdueshme në drejtim të hartimit të politikave prandaj ka edhe gjëra për të cilat duhet të ndjehemi të gëzuar.

IK: Zoti Poortman, si ju duken përparësitë që ka caktuar kryeministri Nano për qeverinë e tij të re? Ju e keni dëgjuar programin e tij.

CP: Ne jemi të inkurajuar nga ajo që tha zoti Nano. Ne patëm gjithashtu rastin të takoheshim me të si dhe me kryeministrin Majko kur ishim atje para 10 ditësh. Mendoj se përparësitë e zotit Nano janë ato që kemi edhe ne. Por siç e dini në shumë raste të tilla e rëndësishme është që jo vetëm të kesh politikat e duhura por edhe t’i zbatosh ato siç duhet. Pra megjithëse ne ndjehemi të inkurajuar, ne do të dëshironim të punonim me qeverinë e tanishme ashtuj siç bëmë edhe me qeverinë e mëparshme për realizimin e këtyre përparësive. Sidoqoftë mendoj se këto përparësi janë vendosur si duhet dhe ato prekin çështje të tilla të gjera si varfëria, rritja e investimeve, krijimi i kushteve për investime, zgjidhja e problemeve në sektorin e energjisë, pra të gjitha ato çështje që ndikojnë shumë në zhvillimin ekonomik.

IK: Ju patët rastin të udhëtoni në vijën automobilistike Kukës-Durrës. Sa realist është projekti për ndërtimin e një rruge të tillë?

CP: Kur ne përgatitëm strategjinë tonë për tre vitet e ardhshëm, pra strategjinë e ndihmës për Shqipërinë, në këshillim jo vetëm me qeverinë por edhe me shumë segmente të shoqërisë, pati shenja të qarta se në përgjithësi, njerëzit në Shqipëri e shikonin këtë rrugë si një përparësi të madhe. Kjo ishte arësyeja se përse ne udhëtuam përgjatë saj. Ne kemi një mendje të hapur. Ka shumë gjasa që ky projekt të jetë i mundur, sepse kjo rrugë do të zhbllokonte si të thuash pjesën veriore të vendit, dhe do të ndihmonte trafikun tranzit dhe tregtinë. Në të njëjtën kohë, duhet të kemi parasysh edhe faktin se kjo do të jetë një rrugë shumë e shtrenjtë. Për këtë arësye studimi paraprak është me rëndësi themelore, pra për të kuptuar se cila do të ishte logjika ekonomike e ndërtimit të saj, cila do të ishte mënyra më efikase e projektimit të saj dhe ajo që ka shumë rëndësi, nëse kjo rrugë do të shkaktonte apo jo probleme të mjedisit. Ne kemi rënë dakord me qeverinë se do ta ndihmojmë atë në financimin e studimit paraprak dhe pastaj do ta shikojmë përsëri këtë çështje. Por siç thashë, ne kemi një mendje të hapur për këtë dhe për mbështjen e këtij projekti nëse ai vihet në zbatim.

XS
SM
MD
LG