Lidhje

Senati amerikan diskuton për Irakun - 2002-07-31


Komisioni i senatit amerikan për marrëdhënie me jashtë ka në plan të organizojë një seancë dy ditësh me pyetje përgjigje rreth Irakut, duke filluar nga sot. Senatori Joseph Biden u tha dje gazetarëve se administrata e presidentit Bush është e vendosur të shohë një ndryshim regjimesh në Bagdad. Mirëpo, zoti Biden shtoi se nuk mendon që presidenti Bush ka vendosur tashmë se si ta realizojë këtë objektiv. Senatori demokrat tha gjithashtu se ai nuk pret që të bëhen përpjekje për përmbysjen e Sadam Huseinit para një janarit. Këtë javë, është në plan që para komisionit të paraqitën analistë. Njoftohet se zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë nuk janë të përgatitur të dëshmojnë, por senatori Biden thotë se disa prej tyre mund të paraqiten para komisionit në shtator. Administrata e presidentit Bush vazhdon ta quajë Irakun pjesë të të ashtuquajturit bosht i ligësisë për shkak të pohimeve se përpiqet të zhvillojë armë të shkatërrimit në masë dhe përkrah terrorizmin. Mirëpo, deri tani nuk ka të dhëna që e lidhin Irakun drejtpërdrejtë me sulmet e 11 shtatorit kundër Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit.

Ndërkohë, udhëheqësit e Francës dhe të Gjermanisë thonë se ata nuk do të përkrahin pushtimin amerikan të Irakut pa mbështetjen e Kombeve të Bashkuara. Kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, dhe presidenti francez, Zhak Shirak, diskutuan dje rreth kësaj çështjeje pas një takimi të nivelit të lartë në Schwerin të Gjermanisë. Presidenti Shirak tha se asnjë sulm kundër Irakut nuk mund të justifikohet pa miratimin e OKB-së. Kancelari Schroeder tha se pjesëmarrja gjermane në një sulm të tillë kërkon miratimin nga parlamenti, gjë që nuk mund të ndodh pa një mandat të OKB-së. Të dy udhëheqësit i kanë bërë thirrje presidentit irakian, Sadam Husein, të lejojë këthimin e menjëhershëm të inspektorëve ndërkombëtarë të armëve. Kombet e Bashkuara e udhëruan Irakun të asgjësonte armët e tij të shkatërrimit në masë dhe të lejonte inspektorët ta vëzhgojnë gjendjen pas luftës së vitit 199i në Gjrin Persik. Në vitin 1998, Bagdadi i dëboi inspektorët e armëve dhe ende nuk ka lejuar kthimin e tyre në Irak.

XS
SM
MD
LG