Lidhje

Diplomacia publike amerikane - 2002-07-31


Në Shtetet e Bashkuara kanë filluar përpjekjet për të ndryshuar mënyrën se si qeveria amerikane komunikon me qytetarët e vendeve të tjera. Këto përpjekje morën shtytje nga pikëpamja se rreth Shteteve të Bashkuara janë krijuar përshtypje të gabuara ose nuk pëlqehen në shumë vende të botës.

Në kushtet e një mungese gjithnjë e më të madhe besimi ndaj Shteteve të Bashkuara dhe politikave të tyre, veçanërisht në botën myslimane, politikanët po ndeshen me trysninë për të përmirësuar mënyrën e komunikimit të politikave amerikane jashtë vendit.

Kjo praktikë njihet me termin “diplomacia publike,” dhe ekspertët e pavarur thonë se qeveria amerikane ka bërë një punë të dobët në këtë drejtim.

Të hënën, agjencia jo-qeveritare Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë publikoi raportin e një grupi të pavarur pune i cili kritikon ashpër përpjekjet e Shteteve të Bashkuara në fushën e diplomacisë publike.

Drejtuesi i grupit të punës, Peter Peterson, tha se edhe pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, përpjekjeve për diplomacinë publike nuk u është kushtuar vëmendje e mjaftueshme:

“Ne mendojmë, tha zoti Peterson, se premtimi për diplomaci publike nuk është përmbushur si rrjedhojë e mungesës së një strategjie të përgjithshme, numrit të pamjaftueshëm të zyrtarëve të kualifikuar, dallimeve kulturore, dobësive strukturore si dhe mungesës së burimeve.”

Grupi i punës kërkon ndër të tjera centralizimin e përpjekjeve të diplomacisë publike si dhe shtimin e fondeve nga Kongresi për t’i mbështetur këto përpjekje.

Siç duket në përgjigje të kritikave, presidenti Bush po forcon Zyrën e Shtëpisë së Bardhë për Komunikime Globale. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, u tha gazetarëve se kjo zyrë do të fuqizojë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të përcjellë mesazhin e qeverisë nëpër botë:

“Presidenti beson se bashkërendimi më i mirë i komunikimeve ndërkombëtare do të ndihmojë Shtetet e Bashkuara të shpjegojnë veprimet e tyre dhe arsyet përse i ndërmarrin këto veprime në botë,” tha zoti Fleischer.

Zëri i Amerikës është një ndër agjencitë e transmetimit, që konsiderohet nga politikanët si pjesë e përpjekjeve për diplomaci publike. Ligji i vitit 1976 garanton objektivitetin dhe balancën e transmetimeve të Zërit të Amerikës. Kjo agjenci ka ngulmuar gjatë një numër administratash, qofshin republikane apo demokrate, për të ruajtur integritetin gazetaresk të programeve të saj.

Pjesëtari i grupit të punës, Henry Grunwald, ish-redaktor i revistës Time, i hodhi poshtë shqetësimet se ndoshta entuziazmi i ri për diplomaci publike, që pasoi sulmet terroriste të 11 shtatorit, do të minojë besueshmërinë gazetareske të Zërit të Amerikës:

“Nuk mendoj se duhet të ekzistojë një konflikt i vërtetë. Mendoj se është plotësisht e përligjshme që qeveria të përpiqet të përcjellë mesazhin e saj. Mendoj se nga ana tjetër, Zëri i Amerikës si dhe agjencitë e tjera të informimit publik duhet ta përcjellin këtë mesazh në kontekstin e duhur, ta shpjegojnë atë, si dhe të shpjegojnë gjithashtu kritikat që marrim nga vende të tjera lidhur me këto politika. Mendoj se nevojiten të dyja: edhe gazetaria objektive, edhe mesazhi i qeverisë i vënë në kontekstin e duhur,” tha zoti Grunwald.

Javën e kaluar, ligjvënësi Henry Hyde ishte nismëtari i miratimit nga Dhoma e Përfaqësuesve të një projekt-ligji për rishikimin e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara në dfushën e diplomacisë publike, përfshirë edhe riorganizmin e transmetimeve për publikun e huaj. Projekt-ligji i ka kaluar Senatit për shqyrtim.

XS
SM
MD
LG