Lidhje

Arrestohen dy ish drejtues të WorldComit - 2002-08-02


Dy ish-drejtues të korporatës së telekomunikacionit Worldcom iu dorëzuan dje autoriteteve amerikane për t’u gjykuar nën akuzat për mashtrim dhe komplot në skandalin e kontabilitetit që ka tronditur botën financiare. Ish-shefi i financës Scott Sullivan dhe ish kontrollori David Myers u ndaluan nga një gjykatë federale në New York, nën akuzat për mashtrim dhe komplot. Prokurori i Përgjithshëm amerikan John Ashcroft tha se arrestimet duhet të shërbejnë si mesazh për disa drejtues të paskrupullt korporatash: "Me çdo arrestim, akt-padi dhe çështje penale ne dërgojmë mesazhin e qartë se drejtuesit e korruptuar të korporatave nuk janë më të mirë se hajdutët ordinerë, kur tradhëtojnë punonjësit e tyre dhe vjedhin investuesit. Drejtuesit e korporatave që mashtrojnë investuesit, vjedhin kursimet dhe abuzojnë fondet e pensioneve do të përballen me gjykimin dhe dënimin që meritojnë", tha zoti Ashcroft. Korporata Worldcom me qendër në Mississippi, deklaroi në qershor se në llogaritë e saj kishte përfshirë 4 miliardë shpenzime të paqena. Në korrik kjo korporatë paraqiti dokumentat për falimentim. Ky është rasti i dytë brenda 2 javësh, që arrestohen drejtues korporatash të mëdha. Më 24 korrik, autoritetet federale në New York arrestuan themeluesin e korporatës Adelphia Communications, dy nga djemtë e tij si dhe ish-drejtues të tjerë nën akuzat se kanë vjedhur fonde nga kjo korporatë telekomunikacioni, që tashmë ka falimentuar, dhe i kanë përdorur këto para si kursime të tyre personale.

XS
SM
MD
LG