Lidhje

Powell: Iraku përpiqet të shmangë përgjegjësinë për të eliminuar armët e shkatërrimit në masë - 2002-08-02


Shtetet e Bashkuara thanë se oferta e irakiane për bisedime lidhur me inspektimet e armëve nga Kombet e Bashkuara nuk ndryshon kërkesat amerikane për zëvëndësimin e regjimit në Bagdad.

Duke folur me gazetarët në Manila, Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, e akuzoi Irakun se përpiqet të gjejë një mënyrë për të shmangur përgjegjësinë për të eliminuar armët e shkatërrimit në masë.

Ndërkohë në një intervistë me televizionin britanik, nën-sekretari amerikan i shtetit John Bolton tha se këmbëngulja e Shteteve të Bashkuara për ndryshimin e regjimit irakian nuk do të ndryshojë pavarësisht në se inspektorët kthehen apo jo në Irak. Zoti Bolton tha se çështja kryesore është përmbysja nga pushteti e presidentit irakian, Sadam Husein, dhe zhdukja e kërcënimit të tij të vazhdueshëm ndaj paqes dhe sigurisë në rajon.

Në një letër që i dërgoi të enjten sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, ministri i jashtëm i Irakut e ftonte krye-inspektorin e OKB-së për armët, Hans Blix, që të shkojë në Bagdad për të shqyrtuar çështjet e çarmatimit, duke lënë të kuptohej se inspektimet e armëve mund të rifillojnë, gati 4 vjet pasi u ndërprenë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, ka në plan të diskutojë të hënën në Këshillin e Sigurimit ofertën e Irakut. Zëdhënësi i zotit Annan tha se propozimi i Irakut nuk përputhet me procedurat e parashtruara nga Këshilli i Sigurimit.

Reagimet ndaj ofertës irakiane kanë qënë të ndryshme. Britania shprehu skepticizëm rreth ftesës së Irakut, ndërkohë që Rusia e cilësoi ftesën si një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të Bagdadit me Kombet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG