Lidhje

Kosova:raport mbi statusin - 2002-08-06


Intervistë me Daniel Serwer, ekspert i çështjeve të Ballkanit

Daniel Serwer, Drejtor i Nismës Ballkanike pranë Institutit Amerikan të Paqes, thotë se ka rëndësi që diskutimi për statusin përfundimtar të Kosovës të fillojë qysh tani. Për këtë qëllim, ky Institut ka botuar kohët e fundit një raport të gjatë ku shqyrton variantet e mundëshme për statusin përfundimtar, siç janë pavarësia me kushte, mundësia e një konfederate me Serbinë, mundësia e shkëputjes me ndarje e të tjera. Raporti përjashton dy variante: pavarësinë e menjëhershme për Kosovën dhe kthimin e saj nën Serbinë. Zoti Daniel Serwer u intervistua nga kolegu ynë Ilir Ikonomi.

VOA: Zoti Serwer, përse ka rëndësi që diskutimi për statusin përfundimtar të Kosovës të fillojë pikërisht tani?

DS: Pikpamja ime është se statusi do të duhet të vendoset brenda 3 deri 5 viteve të ardhshëm dhe është e pamundur që ai të vendoset brenda një periudhe të tillë pa e filluar diskutimin qysh tani. Ky do të jetë një diskutim i gjerë dhe i ndërlikuar për çështje nga më të ndryshmet dhe do të duhet të bëhen edhe disa negociata. Prandaj ka ardhur koha ta fillojmë diskutimin, të paktën midis ekspertëve, midis njerëzve që nuk kanë përgjegjësi zyrtare.

VOA: Përse zyrtarët amerikanë dhe evropianë e shikojnë kaq të vështirë problemin e statusit përfundimtar të Kosovës?

DS: Mendoj se ky është problem i vështirë. Fakt është se ai ka implikime në shkallë rajonale dhe globale që janë të vështira për tu zgjidhur. Të paktën në grupin tonë të punës, ku përfshiheshin njerëz me këndvështrime shumë të ndryshme, askush nuk ishte në gjendje të bindëte të gjithë pjesën tjetër të grupit se zgjidhja e tyre ishte më e mira. Pra, kemi të bëjmë me një çështje të komplikuar e cila do të kërkojë shumë diskutime, para se të zgjidhet. Nuk duhet të harrojmë se ajo duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe kjo është shumë më e vështirë se sa po të zgjidhet në rrugë të tjera.

VOA: Por, a mendoni se problemet në Lindjen e Mesme dhe lufta kundër terrorizmit e kanë shmangur pak vemendjen e zyrtarëve amerikanë nga çështja e statusit përfundimtar të Kosovës?

DS: Nuk ka dyshim se zyrtarët në nivelet më të larta të qeverisë amerikane nuk mendojnë për Kosovën çdo mëngjes por mendojnë për luftën kundër terrorizmit, mendojnë për Irakun dhe për Lindjen e Mesme. Kjo duhet parë jo si një problem por si një rast i mirë, si një rast për njerëzit në rajon dhe për ata që janë të interesuar rreth kësaj çështjeje në Shtetet e Bashkuara që t’i studiojnë gjërat në të gjitha aspektet e tyre e pastaj të angazhojmë zyrtarët e niveleve të larta kur të kemi dalë me disa ide të qarta.

VOA: Në raport ju përjashtoni variantin e pavarësisë së menjëhershme dhe variantin e kthimit të Kosovës nën administrimin e Serbisë. A mund të arrihet kështu në përfundimin se thelbi i statusit përfundimtar të Kosovës për të cilin ju flisni do të jetë pavarësia, por me disa kushte?

DS: Jo. Mendoj se thelbi i raportit është se midis këtyre dy ekstremeve, ekzistojnë shumë versione të tjera dhe këto versione përfshijnë një konfederatë me lidhje më të dobëta ose më të forta me Serbinë, përfshijnë versionin e ndarjes, përfshijnë një vendim që do të mund të merrej nga një ekip ndërkombëtar i cili do të vendoste se në cilën rrugë do të shkonte Kosova. Mendoj se do të ishte e gabuar po të lexohej raporti në atë mënyrë që përmendët ju. Ky nuk nuk duhet parë si një raport pro pavarësisë, por si një përpjekje për të studiuar të gjitha alternativat, me të mirat dhe të këqiat e tyre.

VOA: Cili është roli që ju u jepni Shteteve të Bashkuara në vendosjen e statusit përfundimtar të Kosovës.

DS: Kjo është një pyetje interesante. Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol shumë të fuqishëm. Çështja nëse Shtetet e Bashkuara do t’i drejtojnë negociatat ndërkombëtare apo do të punojnë me disa nga partnerët e tyre si Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian apo Rusia, për t’i drejtuar këto negociata, ende është e nevojshme të shqyrtohet dhe në fakt në një të ardhme të afërt ne do t’i studiojmë disa prej këtyre çështjeve. Por do të ishte gabim të mendohej se Shtetet e Bashkuara mund t’ua lenë këtë çështje të tjerëve. Në Ballkan ka shumë probleme për të cilat Shtetet e Bashkuara duhet të jenë aktive. Evropa po bën një punë gjithnjë e në të mirë në trajtimin e çështjeve të Ballkanit dhe në afrimin e vendeve ballkanike më pranë Evropës. Por ka disa çështje, midis tyre edhe statusi përfundimtar i Kosovës, që do të kërkojnë angazhimin amerikan.

VOA: Sa të gatshëm janë amerikanët t’i kundërshtojnë evropianët për çështjen e statusit nëse lindin mosmarrëveshje?

DS: Nuk mendoj se kjo është mënyra e drejtë e shtrimit të çështjes. Mendoj se amerikanët dhe evropianët është e nevojshme të punojnë së bashku për të formuluar një pozicion të përbashkët, së pari lidhur me procesin dhe më vonë ndoshta edhe me rezultatin. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa megjithëse kanë disa interesa të ndryshme në rajon, më duket se kanë qenë mjaft të suksesshme gjatë vitit të fundit në konsolidimin e pozicioneve të tyre dhe për të garantuar se midis tyre nuk do të ketë ndryshime të mëdha.

VOA: Në raport ju shtroni çështjen që, meqenëse Kina dhe Rusia nuk janë të interesuara për pavarësinë e Kosovës, atëhere vetë Prishtina dhe Beogradi duhet të bien dakord për statusin me bisedime. Por deri tani ne kemi parë se është pothuajse e pamundur që të fillohen këto bisedime.

DS: Në të kaluarën kemi pasur një proces negociatash midis një regjimi jodemokratik në Beograd dhe një strukture institucionale jo të zhvilluar sa duhet në Kosovë. Por kjo nuk do të ndodhë më në të ardhmen. Në të ardhmen do të kemi të bëjmë me një demokraci pak a shumë të konsoliduar në Beograd, e cila është sidomos e interesuar për ta futur Serbinë në Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër, do të kemi të bëjmë me një bazë institucionale shumë më të fortë në Kosovë sepse parlamenti, qeveria dhe institucionet e Kosovës do të shërbejnë si mbështetje për negociatorët.

XS
SM
MD
LG