Lidhje

Gjykimi i Milosheviçit - 2002-08-07


Gjyqi i ish-presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviç për krime lufte është ndërprerë për disa javë. Zoti Millosheviç do të dalë përsëri në gjyq në fund të këtij muaji për të vazhduar të mbrojë vetveten ndaj akuzave për krime kundër njerëzimit dhe për genocid në luftrat e viteve 90 që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë.

Gjyqi i Sllobodan Millosheviçit po zhvillohet prej pesë muajsh dhe procesi që merr në shqyrtim tri luftra, pjesën më të madhe të dhjetëvjeçarit dhe 66 akuza është ende në faza relativisht fillestare. Prokurorët, për 75 ditë janë përpjekur të provojnë me fakte vetëm pjesën e procesit që ka të bëjë me Kosovën: që Sllobodan Millosheviçi është përgjegjës për një fushatë spastrimesh etnike që çoi në vrasjen e qindra shqiptarëve dhe shpërnguljen e 800 mijë të tjerëve. Akuzat që dalin nga luftrat në Kroaci dhe Bosnje, nuk janë parashtruar ende. Janë paraqitur shumë dëshmi për bombardimet, grabitjet dhe djegien e fshatrave, për therjen e bagëtive dhe për trupa të djegur, për vrasje, varre masive dhe kamionë-frigoriferë apo puse uji të mbushur me kufoma. Gjykata ka dëgjuar dëshmitë e zyrtarëve perëndimorë dhe udhëheqësve ushtarakë, serbë që kishin patur lidhje me ngjarjet dhe vartësit e tyre, shumë vetë që dëshmuan se zoti Millosheviç e dinte se çfarë po ndodhte në Kosovë. Gjyqtarët dëgjuan edhe dëshmitë e udhëheqësve të shqiptarëve, ekspertëve mjeko-ligjorë dhe të mbijetuarve. Një vëzhguese që ka ndjekur gjyqin, Judith Armatta e organizatës ”Koalicioni për Drejtësi Ndërkombëtare”, thotë se beson se prokurorët kanë bërë një punë të mirë: ”Unë mendoj se ata pa dyshim kanë provuar bazën e krimit. Ata kanë provuar vrasjet, masakrat, spastrimin etnik, shpërnguljen. Besoj se mund të shtojnë edhe më shumë gjëra, por mendoj se kanë bërë një punë të besueshme lidhur me përgjegjësinë e Millosheviçit”, thotë zonja Armatta.

Kryegjyqtari Richard May është një nga tre gjykatësit e çështjes. Ai shpesh detyrohet t’i shpjegojë zotit Millosheviç rregullat e gjykatës, që mbron vetveten por ende këmbëngul se nuk e njeh autoritetin e gjykatës. Judge May: Roli i marrjes në pyetje është që të pyetet dëshmitari për faktet që di. Nuk është përpjekje për të fituar pikë politikisht, siç po bëni ju. Nëse përpiqeni të fitoni pikë politikisht, do të ndërpriteni. Ju po përfitoni nga e drejta për të pyetur dëshmitarin e organit të akuzës dhe po shkelni rregullat e procesit gjyqësor. Kështu që varet nga ju zoti Millosheviç nëse do ta vazhdoni marrjen në pyetje dhe sa gjatë do të vazhdoni. Por duhet të kuptoni që u paralajmëruat zyrtarisht se nëse vazhdoni kështu, nuk do te lejoheni të vazhdoni. Milosevic translator: Nuk u lejokam të pyes dëshmitarin as për deklaratat që ai vetë ka bërë në televizion? Zoti Millosheviç dhe gjykatësi May kryesisht debatojnë në gjyq. Taktikat agresive të ish-presidentit jugosllav në gjyq nuk kanë reshtur asnjë moment gjatë vitit që ai po kalon i ndaluar nga gjykata. Vëzhguesit thonë se taktikat që ai përdor do të konsideroheshin mungesë respekti për gjykatën, nëse do të përdoreshin nga një avokat i zakonshëm. Ata thonë se strategjitë e zotit Millosheviç mund të kenë ndikim tek njerëzit në vendin e tij, por në një gjykatë, nuk i sjellin atij asnjë të mirë. Zëvendës prokurori i gjykatës, Graham Blewitt, thotë se duhet patur kujdes nga çka ai e quan ”garë mendësish”, që shpesh i ndërsen prokurorët kundër Millosheviçit: ”Është një gjyq për krime, nuk është lojë tenisi. Nuk mund ta matësh për ditë përparimin e procesit. Në fund të fundit, e rëndësishme është që prokurori të ketë sjellë prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajin e të akuzuarit, përtej dyshimit të arsyeshëm. Kjo është prova që duhet kaluar, jo është apo nuk është një garë e përditshme popullariteti mbi fitoret e secilit”, thotë Blewitt. Prokurori Blewitt thotë se ky nuk është një gjyq i lehtë, por ai shpreh besimin se më në fund zoti Millosheviç do të dënohet. Por zoti Blewitt thotë se gjykatësit kanë përcaktuar afate kohore, të vështira për t’u ndjekur. Ai thotë se kjo i ka detyruar prokurorët të mundohen për të shkurtuar listat e dëshmitarëve dhe të kufizojnë paraqitjen e provave, por duke paraqitur aq fakte sa të jenë të mjaftueshme për të dhënë një dënim dhe për ta rindërtuar pa të meta rrjedhën e ngjarjeve. Gjykatësit u kanë lënë afat prokurorëve deri në mes të majit për të përfunduar paraqitjen e gjithë çështjes, ku përfshihen jo vetëm akuzat nga Kosova, por edhe ato që e kanë burimin tek lufta e Kroacisë dhe akuza më e rëndë, ajo për genocid në Bosnje. Ndërprerja po i jep disa javë kohë Millosheviçit të përgatisë mbrojtjen e tij dhe të pushojë për një farë kohe, gjë për të cilën ai ka nevojë. Nga një vizitë mjekësore e kohëve të fundit, rezultoi se rreziku që ai të pësojë një infarkt është shumë i lartë. Gjykatësit po studiojnë veprimet që duhet të ndërmarrin për të ulur intensitetin e punës për ish-presidentin jugosllav, një hap që mund t’i detyrojë ata të heqin dorë edhe nga afatet strikte që kanë vendosur vetë.

XS
SM
MD
LG