Lidhje

Tanket izraelitë hyjnë përsëri në veri të Rripit të Gazës - 2002-08-08


Tanket dhe trupat izraelite hynë në një qytet palestinez në veri të Rripit të Gazës për herë të dytë në dy ditët e fundit. Njoftime të lajmeve thonë se mbi 26 tanke hynë sot në agim në Beit Lahia dhe ushtarët vendosën ndalim-qarkullimin.

Zyrtarët palestinezë të sigurisë thonë se të paktën tre adoleshentë që po hidhnin gurë, u plagosën gjatë ndërhyrjes së sotme dhe njëri vdiq më pas. Ndërkohë bisedimet mes zyrtarëve izraelitë dhe palestinezë të sigurisë mbi një plan armëpushimi nga ana e Izraelit, u ndërprenë dje në mbrëmje.

Zyrtarët palestinezë akuzuan Izraelin për vendosjen e kushteve të reja të cilat sipas fjalëve të tyre ishte ”e pamundur të pranoheshin, apo edhe të zbatoheshin”.

Një delegacion i kabinetit palestinez takohet sot në Washington me këshilltaren për sigurinë kombëtare të Presidentit Bush, Condoleeza Rice dhe sekretarin e shtetit, Colin Powell.

Këto janë bisedimet e para amerikano-palestineze të nivelit të lartë që nga qershori, kur Presidenti Bush u bëri thirrje palestinezëve të zgjedhin udhëheqës ”të papërzierë” me terrorin.

Në ekipin palestinez bëjnë pjesë ministri i brendshëm, Abdel Razak Yahiya dhe ai i ekonomisë, Maher el Masri, dy njerëz që zoti Powell i vlerësoi muajin e kaluar, pasi po punonin të transformonin Autoritetin Palestinez. Por kreu i delegacionit, Saeb Erekat u tha dje gazetarëve se mbetet besnik i udhëheqësit palestinez, Yasser Arafat. Ai paralajmëroi se zëvendësimi i udhëheqësit palestinez do të çonte në kaos.

XS
SM
MD
LG