Lidhje

Arbër Xhaferri mohon ekzistencën e Ushtrisë për Iliridën - 2002-08-08


Kryetari i PDSH-së, Arbër Xhaferri, hodhi poshtë sot thëniet e Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë për ekzistencën e një ushtrie të quajtur Ushtria për Iliridën, duke thënë se ato janë patetizëm maqedonas dhe se nuk beson në to.

Zoti Xhaferri i tha Zërit të Amerikës, se nuk beson që ish-mbreti i Shqipërisë, Leka apo ish-kryetari i PPD-së, Nevzat Halili, i cili është përmendur nga Ministria e Brendshme, të jenë organizatorë të diçkaje të tillë. Kryetari i PDSH-së e quan gjithë këtë informacion, diçka jo-serioze.

Duke komentuar politikën nacionaliste të promovuar nga partia demokratike shqiptare dhe nga ai vetë, zoti Xhaferri, thotë se mbështet kufijtë ekzistues të Maqedonisë por me kusht që shqiptarët të jenë të barabartë në të. Mbijetesa e Maqedonisë varet sipas tij nga aftësia e këtij vendi për të zgjidhur problemet e brendshme që ka, por prania e fortë politike dhe ushtarake ndërkombëtare është shumë e rëndësishme sepse sipas zotit Xhaferri, tani për tani, shqiptarët dhe maqedonasit nuk janë të gjendje të zgjidhin kontestet që kanë, sepse maqedonasit kërkojnë të ndërtojnë shtet një-kombësh në një territor shumëkombësh ndërsa shqiptarët kanë potencial të gjithanshëm për vetëveten.

Kryetari i PDSH-së thotë se nëse shqiptarët do të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë në vendet ku jetojnë, atëherë do të ketë aspirata për të jetuar në një shtet të përbashkët shqiptar të gjithë, por kjo mund të mënjanohet nëse shqiptarët do të trajtohen si të barabartë atje ku jetojnë.

Platforma politike e PDSH-së e shpallur para zgjedhjeve të 15 shtatorit, bazohet në politikën kombëtare, sic thotë zoti Xhaferri, sepse në këtë fazë historike, përparësi kanë cështjet thelbësore. Zoti Xhaferri thotë se maqedonasit shfrytëzojnë demokracinë për të afirmuar pavarësinë e tyre kombëtare dhe thekson se keqpërdorimi i demokracisë në Maqedoni si demokraci e shumicës e shndërruar në procedurë eliminimi, ishte ajo që nisi luftën vitin që shkoi.

Nacionalizmi shqiptar nuk është agresiv, por vetëmbrojtës, thekson Arbër Xhaferri, duke pohuar se megjithatë ka pasur qëndrime të ndryshme në bllokun shqiptar për nisjen e luftës, që kishin të bënin me kohën kur nisi ajo. PDSH mbështeste idenë që duhej zgjidhur së pari statusi i Kosovës, por pasi nisi lufta, PDSH sipas zotit Xhaferri, sqaronte politikisht motivet e luftës, duke e politizuar luftën, siç shprehet ai. Procesi historik nuk ka përfunduar në Ballkan, nuk mund të heqim dorë nga nacionalizmi, thekson kryetari i PDSH-së, Arbër Xhaferri. Lidhur me mundësinë apo jo të ndryshimit të kufijve në Ballkan, zoti Xhaferri, jep dy përgjigje, për Kosovën shtet i pavarur, për shqiptarët në Maqedoni, kushtëzohet pozita e tyre me pozitën e serbëve në Bosnjë, të cilët kanë entitetin e tyre të quajtur Republika serbe e Bosnjës.

Lidhur me zgjedhjet e 15 shtatorit, zoti Xhaferri, nuk beson se do të ketë trazira civile. Ai thotë se armët mund të përdoren por jo për qëllime politike. Ai vlerëson marrëdhëniet me BDI, e Ali Ahmetit, duke thënë se para tre muajsh u kishte dërguar atyre një dokument me shkrim për bashkëpunim, aleancë, por kjo ishte refuzuar nga BDI. Megjithatë, zoti Xhaferri nuk përjashton mundësinë e aleancës pas-zgjedhore me partinë e zotit Ahmeti. Këto dy parti janë favoritet kryesore në këto zgjedhje në bllokun shqiptar.

XS
SM
MD
LG