Lidhje

Kalendari Historik 9 gusht - 2002-08-09


Më 9 gusht 1974 Riçard Niksoni u bë i pari president i Shteteve të Bashkuara, që jepte dorëheqjen. Një natë më parë, në një fjalim të transmetuar nga Shtëpia e Bardhë, zoti Nikson e njohu popullin amerikan me vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen. Ai u konsiderua si viktimë e atij që u quajt skandali i Uotergejtit. Ai akuzohej si bashkëfajtor për mbulim të së vërtetës në kundërshtim me ligjin dhe për përgjim të paligjshëm. Për t’iu shmangur daljes në gjyq para Senatit, nën akuzat e mësipërme, presidenti Nikson dha dorëheqjen. Para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, për herë të fundit si president, ai u takua me personelin e tij të përlotur. Dëshira ime është që ju të vazhdoni t’i shërbeni qeverisë, në rast se kjo është edhe dëshira juaj, tha ai. Punoni pa u kursyer. Mos u shkurajoni asnjëherë. Mos u tregoni të ngushtë. Kini gjithmonë parasysh se të tjerët mund t’ju urrejnë, por ata që ju urrejnë ju, do të fitojnë vetëm në rast se edhe ju i urreni ata. Por në këtë rast ju do të shkatërronit veten.

Më 9 gusht 1974 nënpresidenti Gerald Ford, bëri betimin si president i Shteteve të Bashkuara, që zinte vendin e Riçard Niksonit, i cili kishte dhënë dorëheqjen disa minuta më parë. Gerald Fordi u bë kështu i vetmi president i Shteteve të Bashkuara që erdhi ne detyre pa u zgjedhur as në këtë post dhe as në atë të nënpresidentit. Zoti Ford kishte qenë një udhëheqës republikan në Dhomën e Përfaqësuesve kur presidenti Nikson e zgjodhi atë në vitin 1973 për të zëvendësuar nënpresidentin Spiro Agnju. Nënpresidenti Agnju kishte dhënë dorëheqjen në tetor të atij viti, duke deklaruar se nuk do të kundërshtonte akuzat federale se kishte pranuar rryshfet dhe nuk kishte paguar taksat. Pasi bëri betimin si president i vendit, 61 vjeçari Gerald Ford, iu drejtua me një fjalim popullit amerikan. Ai bëri thirrje për pajtim kombëtar pas skandalit Uotergejt, që çoi në fundin e presidencës së Riçard Niksonit. Brenda një muaji Gerald Fordi lëshoi një dekret presidencial që i falte Riçard Niksonit të gjitha krimet që ai mund të kishte bërë gjatë presidencës së tij.

XS
SM
MD
LG