Lidhje

Ngrihen akuza kundër Ramush Haradinaj - 2002-08-12


Zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara bënë të ditur se një prokuror ndërkombëtar ka ngritur një akuzë kundër kryetarit të Aleancës për Ardhëmrinë e Kosovës Ramush Haradinaj.

Zoti Haradinaj akuzohet për rrezikim të sigurisë së të tjerëve. Akuza ndaj zotit Haradinaj u bë e ditur së bashku me akuzat kundër gjashtë personave të tjerë të arrestuar në qershor të këtij viti nën dyshimin se janë përgjegjës për vepra kriminale kundër bashkëkombësve të tyre. Të gjithë ata janë pjestarë të ish UÇK-së dhe të TMK-së. Në mesin e të gjashtëve është edhe Daut Haradinaj, vëllai i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Zëdhënësja e UNMIK-ut Susan Manuel tha se tashmë të akuzuarit ngarkohen për vepra të kryera në qershor të vitit 1999 dhe në korrik të vitit 2000. Një nga të pandehurit, Idriz Balaj, është akuzuar për vrasje. Pesë të tjerët, ku përfshihet edhe Daut Haradinaj, akuzohen për arrestime të paligjshme, lëndime trupore dhe rrezikim të sigurisë së të tjerëve. Veprat, tha zëdhnsja, janë kryer në pjesë të ndryshme të Kosovës, ndërsa viktimat ishin shqiptarë. Ajo tha se akuza është rezultat i hetimeve që kanë filluar madje edhe para se të ndodhnin disa nga veprat për të cilat akuzohen të pandehurit. “Si pjesë të hetimeve prokurori ka lëshuar një akuzë kundër kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj për vepër më të vogël që quhet rrezikim i sigurisë së të tjerëve. Kjo ka të bëjë për një vepër të kryer prej tij në korrik të vitit 2000” tha zonja Manuel.

Dje, forcat e policisë arrestuan Rrustem Mustafën ish komandant i UÇK-së i njohur si komandant Remi nën dyshimin se është përgjegjës për torturimin dhe vrasjen e të paktën pesë personave, por pa dhënë hollësi për periudhën e kryerjes së veprave apo emrat e viktimave. Arrestimi i zotit Mustafa sikundër edhe pjestarëve të tjerë të ish UCK-së ka nxitur reagime të qytetarëve shqiptarë të cilët vlerësojnë se kjo është goditje ndaj luftës së tyre. Ndërkaq autoritetet pohojnë se kjo është dëshmi e perkushtimit të tyre per vendosjen e rendit e ligjit.

XS
SM
MD
LG