Lidhje

SHBA përshëndesin edhe një herë nënshkrimin para një viti të marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni - 2002-08-14


Shtetet e Bashkuara përshëndetën mbrëmë edhe një herë nënshkrimin para një viti të marrëveshjes së paqes në Maqedoni, duke thënë se ajo parashtron themele të forta për zhvillimin e ardhshëm paqësor të Maqedonisë në rrugën drejt integrimit Euro-Atlantik.

Në një deklaratë të shpërndarë mbrëmë nga ambasada amerikane në Shkup, vlerësohen udhëheqësit politikë të Maqedonisë për përparimin e dukshëm që kanë bërë në përmbushjen e angazhimeve që dalin nga kjo marrëveshje dhe theksohet se është vënë baza për zgjedhjet e ardhshme parlametare.

Shtetet e Bashkuara thonë se udhëheqësit politikë të Maqedonisë dhe qytetarët e saj ndërmorën vendime të ndërgjegjshme dhe me kurajo për të ulur tensionet, për të ndërtuar ura midis komuniteteve etnike dhe për të miratuar kornizën ligjore për avancimin e shoqërisë civile brenda Maqedonisë.

Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje të gjitha palëve në Maqedoni që të mbështesin dhe të përdorin këtë moment për paqe dhe stabilitet afatgjatë. Shtetet e Bashkuara thanë gjithashtu se zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni duhet të shërbejnë për të forcuar fitoret e vitit të kaluar dhe kërkuan që ato të jenë të lira, pa dhunë dhe rezultatet e tyre të respektohen.

Ndërkohë, partia e dalë nga ish strukturat e UÇK-së, Bashkimi Demokratik për Integrim, përkujtoi mbrëmë në Tetovë 1 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së paqes, e cila i dha fund konfliktit të vitit të kaluar në Maqedoni.

Kryetari i kësaj partie Ali Ahmeti e qujati këtë ditë ditën e paqes dhe tha se do të punojë për paqe dhe stabilitet si dhe për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Armiqsitë përfunduan më 13 gusht të vitit 2001, tha zoti Ahmeti, duke kërkuar që të rritet mirëbesimi midis shqiptarëve dhe maqedonasve.

XS
SM
MD
LG