Lidhje

Maqedoni: gjendja  e të drejtave të njeriut - 2002-08-14


Gjatë konfliktit të vitit të kaluar në Maqedoni dhe në muajt më pas u njoftuan shkelje të shumta të të drejtave të njeriut si nga forcat e rendit, ashtu edhe nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Në një raport që sapo u publikua, organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International u bën thirje autoriteteve maqedonase të angazhohen seriozisht në hetimin e këtyre akteve si dhe të bashkëpunojnë me organizmat ndërkombëtare për të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës.

Raporti shqyrton incidentet në rajonin e Tetovës, si një shembull i gjendjes gjatë konfliktit të vitit të kaluar, dhe vë në dukje rastet e keqtrajtimeve të shqiptarëve nga forcat e sigurimit si dhe shkelje të ligjit humanitar nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Amnesty International shpreson se duke i bërë këto raste publike, do të nxiten autoritetet të veprojnë për të zhvilluar hetime dhe për të vënë në vend drejtësinë. Përfaqësuesi i organizatës Hugh Paulton thekson se kërkohet angazhim më serioz për të disiplinuar ata përfaqësues të forcave të rendit që kryejnë shkelje të tilla.

Një problem që ende vazhdon në Maqedoni janë rastet e brutalitetit të policisë që kalojnë pa u ndëshkuar; shumë pak akuza për tortura pasohen nga hetime serioze dhe një numër shumë i vogël policësh që përdorin torturat dhe keqtrajtimet, ndiqen penalisht. Kjo krijon një klimë të mungesës së përgjegjësisë, thotë zoti Paulton.

Në raportin e organizatës Amnesty International renditen edhe një numër akuzash të ngritura ndaj Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për shkelje të të drejtave të njeriut. Zoti Paulton përmend deklaratën e UÇK-së për të respektuar Konventën e Gjenevës dhe të drejtën ndërkombëtare dhe për të bashkëpunuar me Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet që të sillet para drejtësisë cilido prej anëtarëve të saj përgjegjës për krime lufte. Por ai vë në dukje se një numër maqedonasve, që u zhdukën gjatë konfliktit, dhe mendohet se ishin rrëmbyer nga forcat e UÇK-së, ende nuk u dihet fati:

“Ne u bëjmë thirje pasuesve të UÇK-së, njerëzve si Ali Ahmeti, që pritet të shndërrohen në figura të rëndësishme politike të vendit, që këto incidente të zgjidhen. Këto çështje kanë të bëjnë me të drejta bazë të njeriut, në mënyrë që të afërmit e të zhdukurve të mësojnë fatin e tyre. Dhe nëse janë kryer krime, autorët e tyre duhet të dalin para drejtësisë,” tha zoti Paulton.

Amnesty International po ndjek me vëmendje gjendjen në Maqedoni, në përgatitje për zgjedhjet. Zoti Paulton shpreh shqetësim për një numër incidentesh dhe grupesh që mund të bëhen nxitje për acarimin e atmosferës para-zgjedhore: “Ka pasur një numër atentatesh ndaj disa ish-anëtarëve të UÇK-së, që mendohet se janë kryer nga grupe rivale. Këto incidente mund të çojnë në acarimin e gjendjes në prag të zgjedhjeve. Ka gjithashtu njoftime për njësi policore të njohura me emrin “Tigrat” dhe “Luanët” që shihen me frikë dhe shqetësim nga popullsia shqiptare, thotë përfaqësuesi i organizatës Amnesty International.

Përfaqësuesi i organizatës së të drejtave të njeriut u bën thirje autoriteteve në Maqedoni të angazhohen me seriozitet në hetimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Zoti Paulton e shikon këtë si një problem serioz jo vetëm në Maqedoni, por në mbarë Ballkanin, ku dhuna dhe keqtrajtimet janë institucionalizuar dhe janë shndërruar në pjesë e veprimtarisë rutinë të forcave të rendit. Kjo gjendje, thekson ai, do të vazhdojë për sa kohë që personat përgjegjës nuk sillen para drejtësisë për veprimet e tyre.

XS
SM
MD
LG