Lidhje

Grupi Ndërkombëtar i Krizave - Raport për Maqedoninë - 2002-08-14


Në një raport për korrupsionin në Maqedoni, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, thotë se shkeljet e kanë dobësuar shtetin dhe mund të çojnë në dështimin e marrëveshjes së paqes të arritur para një viti.

Në raportin e botuar sot, Grupi Ndërkombëtar i Krizave paraqet shembuj konkretë të shpërdorimeve dhe shkeljeve që ka kryer qeveria. Ndër to ishin përpjekjet e Drejtorit së Doganave për të detyruar bizneset që të përdornin një firmë transporti mallrash nën kontrollin e tij, rasti i një ministri të qeverisë që u kishte dhënë ryshfet shitësve me shumicë dhe konfiskimi i paligjshëm i një banke nga ana e qeverisë.

Deri sot qeveria maqedonase i ka mohuar vazhdimisht njoftimet për abuzime.

Zëvendës presidenti i organizatës, John Greenwald tha se nëse korrupsioni lejohet të përhapet, ai do ta dëmtojë paqen e brishtë në Maqedoni dhe do të ketë ndikim negativ në Ballkanin Perëndimor.

Grupi po i bën thirrje qeverisë që lufta kundër korrupsionit të jetë një nga përparësitë e saj kryesore dhe po i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të bllokojë ndihmat ndaj Maqedonisë, derisa autoritetet të ndërmarrin reforma serioze. Grupi Ndërkombëtar i Krizave po u kërkon gjithashtu partive politike shqiptare të luajnë rol më aktiv në shoqëri dhe në përpjekjet kundër korrupsionit.

XS
SM
MD
LG