Lidhje

Crawford, në zemrën e Presidentit - 2002-08-15


Presidenti Bush ka lindur në shtetin Connecticut dhe ka studiuar në universitetet e famshme të verilindjes së Amerikës, Yale dhe Harvard. Por nuk mund të mos e vësh re si i ndryshon tingulli i zërit dhe si i shkëlqejnë sytë, kur ai flet për Teksasin.

Ai e kaloi fëmijërinë e tij atje, dhe atje u kthye për t’u martuar, ngriti një biznes dhe i hyri politikës. Ai thotë se ndjehet i privilegjuar që i kalon ditët në Shtëpinë e Bardhë. Por sa herë i jepet mundësia, shkon në fermën në fund të një rruge fshati, në hyrje të një qyteti që ka vetëm një semafor.

Një qytet fare i vogël, me pluhur në qendër të Teksasit, u bë shtëpia e presidentit të Shteteve të Bashkuara.

”Do të nisem për në shtëpi. Kam ndryshuar adresën nga Washingtoni në Teksas”, thotë Presidenti Bush.

Ai e quan Shtëpinë e Bardhë, ”shtëpi të popullit”. George Bushi, konsideron shtëpi një copë tokë në periferi të Crawfordit, me 705 banorë.

Trenat e mallrave kalojnë përmes Crawfordit, pasi kalon semaforin e vetëm dhe depot e drithit. Qyteti duket si një grimcë pluhuri në hartën e Teksasit. Është një vend ku një traktor dhe një kamion në rrugën e fshatit, bllokojnë trafikun.

Qyteti ka një qendër fare të vogël me një dyqan berberi, dy pika benzine dhe disa dyqane ku shiten kujtime.

Bill Sparkman është berber, zjarrfikës vullnetar dhe ciceron jozyrtar i qytetit. ”Ai atje ishte dikur dyqan ushqimesh. Ajo ndërtesa e vogël ishte burgu i qytetit. Flokëtorja, kur isha i vogël ishte atje ku është tani bashkia”, thotë zoti Sparkman.

Ai ka jetuar në Crawford gjithë jetën dhe duket pak i hutuar që ka një fqinj të famshëm.

Norma Nelson-Crow është rritur në një fermë vendase. Ajo ka tani një dyqan dhuratash dhe në derën kryesore ka vënë një fotografi të madhe të presidentit.

” Mendoj se ajo që shihni rreth e qark e tërheq atë në këtë zonë”, thotë zonja Nelson Crow.

Po ta shohësh me vëmendje, fytyra e presidentit zbutet nga pak, kur ai kthehet në Crawford. E ecura e tij fillon të marrë nga pak ritmin e asaj të një cowboy dhe ai duket se ndjehet në harmoni me ambjentin përreth tij.

”Kjo pjesë e këtij shteti përfaqëson mënyrën e pavarur të të menduarit që karakterizon teksanët. Përfaqëson teksanët punëtorë, njerëzit me vlera të mëdha, si besa dhe familja”, thotë presidenti Bush.

Ka edhe diçka tjetër që e bën presidentin të kthehet përsëri e përsëri. Ndërsa ecën me makinë në rrugën e ngushtë për në derën kryesore të fermës së tij, sheh vetëm stepë të rrafshët. Por prapa shtëpisë dhe kullotave, shtrihet një rezervë e vërtetë natyrore uji, zonë pyjore dhe kafshë të egra.

Ky është vendi ku presidenti mund ta heqë nga mendja stresin e Washingtonit. Crawford i jep atij qetësi. Ai i sjell Crawfordit botën.

”Jam i sigurt që shumë njerëz këtu, veçanërisht ata që janë më të moshuar, as nuk kishin ëndërruar që një president amerikan do të sillte një president rus në Crawford të Teksasit", thotë Presidenti.

Vladimir Putini ishte udhëheqësi i parë i huaj që vizitoi fermën e presidentit Bush. Banorët e qytetit ishin ftuar të takoheshin me të në nëntor në shkollën e mesme të qytetit, ku dy presidentët iu përgjigjën pyetjeve të nxënësve.

Norma Nelson Crow ishte mes të ftuarve atë ditë. Ajo thotë se po mban tani një ditar të momenteve në historinë e Crawfordit. ”Kur shkoj tani në vende të tjera, nuk më duhet t’u shpjegoj njerëzve se nga jam. U them që jam nga Crawfordi i Teksasit dhe ata thonë: Oh, po, e dimë se ku është,” thotë zoti Sparkman.

XS
SM
MD
LG