Lidhje

Nato në kërkim të Karaxhiçit - 2002-08-15


Trupat e Natos në Bosnje-Hercegovinë i kanë shtuar përpjekjet e tyre për të kapur Radovan Karaxhiçin, i cili akuzohet për krime lufte.

Dje trupa të Forcës Stabilizuese të Natos bllokuan rrugët që çonin në Mal të Zi, duke kontrolluar automjetet dhe duke marrë në pyetje pasagjerët. Po ashtu helikopterë fluturuan mbi disa zona të thella të pjesës juglindore të Bosnjes, që kontrollohet nga serbët.

Operacioni filloi të mërkurën, kur trupa të Natos, të mbështetur nga helikopterë, mbërritën në fshatin lindor Celebici, në perëndim të kufirit që ndan Malin e Zi nga Serbia. Banorët vendas u ankuan për shqetësimin që u shkaktonte prania e ushtarëve të veshur si për luftë.

Në një deklaratë të Natos thuhet se operacioni u ndërmor për të shkatërruar rrjetin që mbështet ish-udhëheqësin e serbëve të Bosnjes, i cili i ka shpëtuar arrestimit që nga viti 1996. Mendohet se ai udhëton nëpër zonat e thella të Bosnjes lindore dhe Malit të Zi, për t’iu shmangur arrestimit.

Zoti Karaxhic dhe këshilltari i tij ushtarak i kohës së luftës, gjenerali Ratko Mlladic, kërkohen nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës, nën akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Të dy ata akuzohen lidhur me vrasjen e rreth 8 mijë myslimanëve, në vitin 1995, kur forcat serbe pushtuan qytetin boshnjak të Srebrenicës. Forcat e Natos nuk mundën ta gjejnë zotin Karaxhic në shkurt dhe mars të këtij viti, kur shkuan në fshatin Celibici, ku mendohet se vendasit që e përkrahin atë, vazhdojnë ta fshehin dhe ta strehojnë.

XS
SM
MD
LG