Lidhje

Kalendari Historik 20 gusht - 2002-08-20


Më 20 gusht 1941, Shtetet e Bashkuara i dhanë me qira Anglisë 50 destrojerë të periudhës së Luftës së Parë Botërore, në përputhje me kushtet e përcaktuara nga programi që ishte futur në zbatim pak kohë më parë nën titullin “Qera Marrje dhe Qera-Dhënie.” Nga ana e saj, Anglia u dha Shteteve të Bashkuara truall për ndërtimin e katër bazave ushtarake në ishujt e Oqeanit Atlantik si dhe të drejtën për të shfrytëzuar pa qera toke 6 territore për baza britanike gjetkë në Oqeanin Atlantik. Ky ishte një nga transaksionet e para nën marrëveshjen anglo-amerikane “Qera Marrje dhe Qera-Dhënie,” që kishte për qëllim të ndihmonte britanikët të mbijetonin gjatë bllokadës që Gjermania Naziste i bëri Anglisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ligji e autorizonte presidentin të transferonte armë dhe materiale të tjera mbrojtëse për qeveritë e atyre vendeve, mbrojtja e të cilave konsiderohej nga presidenti si jetike për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara. Në një fjalim në vitin 1940, presidenti Franklin Roosevelt tha se Shtetet e Bashkuara duhet të furnizonin me armë, anije dhe avionë Anglinë dhe aleatët e tjerë të Shteteve të Bashkuara: “T’u themi demokracive: Ne mbrojmë lirinë. Ne po ju ofrojmë energjitë, burimet dhe aftësitë tona organizatore për t’ju dhënë fuqi të ruani një botë të lirë”, tha Roosvelt. Pas këtij fjalimi, Kongresi Amerikan e mbështeti me shumicë dërrmuese presidentin Roosevelt në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Marrëveshja për “Qera Marrje dhe Qera-Dhënie” u dha mundësi britanikëve të vazhdonin luftën deri kur Shtetet e Bashkuara hynë në luftë nga fundi i vitit 1941.

Më 20 gusht, 1964, presidenti Lyndon Johnson nënshkroi Aktin e Mundësive të Barabarta që do të ofronte afro një miliard dollarë ndihma për amerikanët e varfër gjatë vitit që pasonte. Pjesa kryesore e këtij akti ishte një agjenci qeveritare që ngrinte qendra të veçanta arsimi në të gjithë vendin. Të rinj, që më parë kishin qenë të papunë, regjistroheshin në këto qendra, ku edhe strehoheshin, merrnin paga minimale dhe mësonin një zanat apo kualifikoheshin në një drejtim të caktuar. Akti i Mundësive të Barabarta ishte pjesë e luftës ndaj varfërisë, të ndërmarrë nga presidenti Johnson. Disa historianë thonë se që nga kriza ekonomike e viteve 1930, nuk ka pasur asnjë sesion legjislativ që t’u afrohej përpjekjeve legjislative të mesit të viteve 1960 për të kapërcyer problemet shoqërore dhe ekonomike në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG