Lidhje

Amerikanët e humbur në luftra - 2002-08-20


Nga fatet e këqia që mund t’i qëllojë një ushtari, është zhdukja pa lënë gjurmë. Amerikanët që vriten në luftë vdesin të sigurt se do të bëhen të gjitha përpjekjet e mundëshme që trupat e tyre të gjenden për t’u varrosur me nderime, se familjet do të njoftohen për vdekjen e tyre dhe që sakrifica e tyre do të kujtohet me nderim nga populli amerikan.

Robërit amerikanë të luftës e dinin që bashkëatdhetarët e tyre kurrë nuk do të hiqnin dorë nga përpjekjet për lirimin e tyre. Por sqarimi i fatit të amerikanëve të humbur gjatë luftës përbën një detyrim të posaçëm për Shtetet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara e kanë për detyrë morala e ligjore për të sqaruar fatin e çdo amerikani që e ka emrin në listën e ushtarëve të zhdukur gjatë konflikteve të armatosura. Nëse është e mundur, provat që konfirmojnë vdekjen e tyre duhen gjetur dhe eshtrat e tyre të varrosen në mënyrë të përshtatëshme. Dhe derisa ekziston mundësia që ushtarë amerikanë të humbur gjatë luftës mund të jenë të gjallë, Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë çdo përpjekje për gjetjen dhe kthimin e tyre në atdhe.

Për këtë qëllim, në vitin 2000, kongresi amerikan miratoi ligjin për kthimin e tyre në atdhe. Më shumë se 8 mijë amerikanë vazhdojnë të konsiderohen të humbur gjatë luftës së Koresë dhe afro 2 mijë të tjerë gjatë luftës së Vietnamit. Ligji i siguron strehim në Shtetet e Bashkuara çdo të huaji nga Vietnami, Kamboxhia, Laosi, Kina, Korea e Veriut ose ndonjë republike ish sovjetike, i cili personalisht i dorëzon Shteteve të Bashkuara një ushtar amerikan që e ka emrin në listën e të zhdukurve gjatë luftës së Koresë ose luftës së Vietnamit. Ligji gjithashtu u siguron strehim në Shtetet e Bashkuara familjeve të atyre personave që ndihmojnë këta ushtarë për të rënë në kontakt me autoritetet amerikane.

Që nga përfundimi i luftës së Vietnamit më 1975, ka patur njoftime se ushtarë amerikanë janë parë të mbahen në Azinë juglindore. Por deri tani njoftime të tilla nuk janë konfirmuar.

Çdo njeri që ka informata rreth amerikanëve që nuk u dihet fati duhet të kontaktojë autoritetet e Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG