Lidhje

Vdes në Bagdad terroristi Abu Nidal - 2002-08-23


Sipas lajmeve Sabri al-Bana, i njohur gjithashtu edhe si Abu Nidal, vdiq nga plagët e plumbave në shtëpinë e tij në Bagdad të Irakut. Rrethanat e kësaj vdekjeje mbeten ende të paqarta.

Fillimisht një prej anëtarëve të Organizatës për Çlirimin e Palestinës të Yasser Arafatit, Abu Nidali organizoi një fraksion të vetin të njohur si Këshilli Revolucionar, Fatah, ose Organizata Abu Nidal. Kjo organizatë ka kryer sulme kundër izraelitëve, palestinezëve mbështetës të Arafatit, qeverive të moderuara arabe, amerikanëve, dhe eproviano-perëndimorëve. Qëllimi i saj ka qënë minimi i përpjekjeve për zgjidhjen nëpërmjet negociatave të konfliktit izraelito-palestinez.

Organizata Abu Nidal gjeti strehim, terren për stërvitje, mbështetje llogjistike dhe financiare tek Siria deri në vitin 1987. Libia e preu mbështetjen e këtij grupi në vitin 1998, duke e detyruar atë që të shkonte në Irak, ku ai ka gëzuar për një kohë të gjatë mbështetjen e Saddam Husseinit.

Terroristët e Abu Nidalit kanë vrarë apo plagosur rreth 900 nerëz në 20 vende. Ata kanë sulmuar restorante, hotele, sinagoga, ambasada, aeroplanë pasagjerësh, një autobuz udhëtarësh dhe një anije argëtimi. Ndër viktimat përfshihen zyrtarë qeveritarë dhe shumë gra dhe fëmijë.

Në shtator të vitit 1985, terroristët e Abu Nidalit, rrëmbyen një aeroplan egjiptian që shkonte për në Maltë. 60 vetë u vranë kur komandot egjiptiane u përpoqën të shpëtonin pengjet. Në dhjetor të vitit 1985, ata sulmuan me automatikë dhe granada biletaritë e linjës ajrore El Al në aeroportet e Romës dhe të Vjenës. 16 vetë u vranë dhe 60 u plagosën. Në vitin 1986, Organizata Abu Nidal vrau 22 besimtarë izraelitë në sinagogën Neve Shalom të Stambollit. Gjithashtu në vitin 1986 terroristët e Abu Nidalit rrëmbyen aeroplanin e linjës ajrore Pan American, fluturimi 73 në Karaçi të Pakistanit, duke vrarë 17 dhe plagosur më shumë se 150 njerëz. Në vitin 1994, organizata, Abu Nidal, vrau një diplomat jordanez në Liban.

Por Abu Nidali dhe terroristët e tij nënvleftësuan së tepërmi ata njerëz që mendonin të kërcënonin. Në vend që të gjunjëzoheshin para kërcënimeve terroriste, demokracitë perëndimore dhe qeveritë e moderuara arabe u kundërpërgjegjën fuqimisht. Ato asgjësuan apo dëmtuan rëndë rrjetet terroriste dhe ushtruan presion të fuqishëm ndaj vendeve si Libia dhe Siria për t’i dhënë fund mbështetjes së tyre për terrorizmin e Abu Nidalit. Po ashtu, megjithë sulmet e vazhdueshme terroriste kundër Izraelit, negociatat për paqen në Lindjen e Mesme vazhdojnë.

Abu Nidali tani është i vdekur. Nëse ai vrau veten apo u vra nga regjimi i Saddam Husseinit, që për një kohë të gjatë e kishte mbështetur atë, apo nga dikush tjetër, kjo mund të mos mësohet kurrë. Por tashmë është e sigurt se bota shpëtoi edhe nga një terrorist tjetër.

XS
SM
MD
LG