Lidhje

Shtetet e Bashkuara  mbështesin përpjekjet e UNMIKU-t - 2002-08-23


Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, policia e të cilit, e përkrahur nga paqeruajtësit e KFOR-it nën komandën e NATO-s arrestoi javën e kaluar disa ish kryengritës shqiptarë, ndër të cilët edhe një nga figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë të shpërndarë.

Udhëheqësit e arrestuar kryengritës janë akuzuar për një seri krimesh që renditen nga rrëmbimi i individëve deri tek vrasja e tyre në hakmarrje për konfliktin e viteve 1998-1999 mes shqiptarëve dhe forcave jugosllave nën ish presidentin, Sllobodan Millosheviç.

Arrestimet u bënë shkak për protesta nga mijra njerëz, duke përfshirë edhe një përleshje mes shqiptarëve dhe forcave të sigurimit në perëndim të Kosovës, ku u plagosën 50 vetë, ndër të cilët 11 policë të Kombeve të Bashkuara dhe tre anëtarë të KFOR-it.

Në fillim të kësaj jave, Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi kërkoi që t’u jepet fund arrestimeve dhe i quajti të ndaluarit "të burgosur politikë" dhe "pengje" të procesit politik. Këto deklarata dhe komente të ngjashme të bëra nga zyrtarë të tjerë vendas në Prishtinë kanë ngjallur reagime të ashpra nga mbështetësit e procesit të paqes në Kosovë, duke përfshirë Bashkimin Evropian, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Në një konferencë shtypi këtu në Uashington, zëdhënësi i departamentit të Shtetit, Philip Reeker, tha se Shtetet e Bashkuara mbështetin plotësisht përpjekjet e administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-ut, për vendosjen e shtetit juridik në Kosovë, dhe hedhin poshtë kategorikisht çdo sugjerim se arrestimet ishin politikisht të motivuara apo përtej mandatit të administratës ndërkombëtare.

"Ne nuk kemi asnjë dyshim që arrestimet të mos jenë kryer në përputhje të plotë me procedurën e përcaktuar juridike dhe pa paragjykime lidhur me përkatësinë etnike, kombëtare apo politike të të pandehurve", tha zoti Reeker. "Ne i bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë të Kosovës dhe të tjerëve që të respektojnë parimet themelore të prosesit gjyqësor pa ndërhyrje politike. Ne bëjmë thirrje gjithashtu që çdo formë proteste të jetë paqësore dhe të zhvillohet në përputhje me rregullat dhe procedurat e sigurisë publike të vendosura nga autoritetet e Kombeve të Bashkuara".

Kryeministri Rexhepi ka këmbëngulur se UNMIK-u nuk ka mandat për të hetuar incidente që kanë ndodhur në Kosovë para vendosjes së saj nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara dhe të NATO-s dhe se të gjitha arrestimet e kryera për krime që datojnë para qershorit të vitit 1999 janë të pavlefshme. Megjithatë, një zëdhënës i UNMIK-ut tha se autoritetet e Kombeve të Bashkuara kanë si të drejtë ashtu edhe detyrë që të arrestojnë çdo shqiptar të dyshuar për krime, siç kanë bërë edhe me sërbët e akuzuar për krime para vitit 1999.

Forca e NATO-s në Kosovë ka tani rreth 35 mijë trupa, duke përfshirë rreth 5 mijë amerikanë, dhe ndihmohet edhe nga rreth 4 mijë policë të Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG