Lidhje

Bush: Regjimi i Irakut duhet zëvendësuar - 2002-08-24


Duke folur në një konferencë shtypi, më 21 gusht, presidenti Bush tha se Sadam Huseini, mbetet një kërcënim dhe se përmbysja e regjimit të tij është në interesin e botës. Diktatori irakian, tha presidenti Bush, nuk ka bërë asgjë për të treguar se është i gatshëm të heqë dorë nga armët e shkatërrimit në masë, se ka respekt për popullin irakian, apo se vlerëson jetën e njerëzve. Zoti Bush vuri në dukje se ndërsa çështja se si do të arrihet heqja e Sadam Huseinit nga pushteti, do të zgjidhet nëpërmjet këshillimeve dhe analizave të peshuara mirë, Shtetet e Bashkuara janë të bindura se diktatori irakian ka qenë dhe do të mbetet një kërcënim, përsa kohë që të jetë në pushtet.

Këshilltarja për Çështjet e Sigurimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, Condoleezza Rice, kohët e fundit dërgoi të njëjtin mesazh. Më 15 gusht, në një intervistë me BBC-në, ajo e cilësoi diktatorin irakian një njeri të keq, që po të mos e pengonte njeri, do të bënte kërdinë kundër popullit e fqinjëve të tij, dhe se po të siguronte armë të shkatërrimit në masë dhe mjetet për t’i përdorur ato, do të bënte të njëjtën gjë me ne të gjithë. Perspektivat që Sadam Huseini të sigurojë armë të tilla, tha zonja Rice, janë një shtysë e fuqishme morale për ndryshimin e regjimit, duke shtuar se ne sigurisht nuk mund t’ia lejojmë vetes që të rimë duarkryq në këtë rast.

Komentet e zonjës Rice u bënin jehonë fjalëve të thëna në fillim të vitit nga Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, para anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve. Ne, tha atëhere zoti Powell, besojmë fuqimisht në një ndryshim të regjimit në Irak dhe mezi presim ditën kur një qeveri demokratike, përfaqësuese, në paqe me fqinjët e vet, ta kthejë Irakun në gjirin e familjes së kombeve. Ndryshimi i regjimit, vuri në dukje Sekretari Powell, është diçka që Shteteve të Bashkuara mund t’u duhet ta realizojnë vetëm.

Regjimi i Sadam Huseinit ka sulmuar fqinjët e Irakut, ka vrarë qytetarë irakianë dhe u është kundërvënë Kombeve të Bashkuara, duke vazhduar përpjekjet për të prodhuar armë të shkatërrimit në masë. Mosparandalimi i diktatorëve agresivë, siç ka thënë Këshilltarja për Çështjet e Sigurimit Kombëtar, Condoleezza Rice, i ka kushtuar njerëzimit miliona jetë në të kaluarën. Historia, tha ajo, është e mbushur me raste mosveprimi që kanë çuar në pasoja shumë të rënda për botën.

Prandaj presidenti Bush e ka bërë të qartë se regjimi i Sadam Huseinit në Irak duhet të zëvendësohet.

XS
SM
MD
LG