Lidhje

Kinë: punohet pa pushim për forcim digash - 2002-08-24


Në Kinë, më shumë se një milion njerëz, fshatarë, pjesëtarë të milicive dhe ushtarë, po punojnë pa pushim për të forcuar digat përreth liqenit Dongting në provincën Hunan, që ujrat të mos vërshojnë në zonat përreth.

Lajmet e sotme nga Kina qëndrore bëjnë të ditur se niveli i liqenit po ngrihet me 1 centimetër në orë dhe ujërat e lumit Jance pritet të vërshojnë drejt liqenit Dongting nesër. Liqeni Dongting shërben si rezervuar për lumin Jance dhe 4 lumenj të tjerë më të vegjël.

Ekipet për kontrollin e përmbytjeve kanë përdorur thasë rëre, gurë dhe dhe për të përforcuar pikat e dobëta në një sistem të zgjeruar digash përreth liqenit, me sipërfaqe prej 4 mijë kilometrash katrore. Çdo çarje e ndjeshme e digave do të rrezikonte shtëpitë e gati 10 milionë njerëzve, që jetojnë përreth liqenit Dongting.

Gjashtë qytete dhe mbi 10 fshatra rrezikohen nga përmbytjet. Autoritetet në provincën Hunan kanë dhënë urdhër për evakuimin e 600 mijë banorëve në zonat e rrezikuara.

Moti në Kinën qëndrore u përmirësua sot, por agjencia e lajmeve Rojter njoftoi se meteorologët vendas parashikojnë rifillimin e shirave të rrëmbyeshëm të hënën.

XS
SM
MD
LG