Lidhje

Turkmenia vazhdon të jetë një vend monist - 2002-08-25


Në dekadën e kaluar disa nga ish-republikat e Bashkimit Sovjetik, u futën në rrugën e demokracisë dhe të respektimit të të drejtave themelore të njeriut. Të tjerat, ndërmjet tyre disa në Azinë Qendrore, kanë bërë shumë më pak përparim. Ndërmjet atyre që kanë ecur më pak nga të tjerat është Turkmenia.

Sundimtar i Turkmenisë është Saparmural Niyazov. Ai u bë kryetar i Partisë komuniste më 1985 dhe president i Turkmenisë, pasi kjo e fundit fitoi pavarësinë më 1991. Që nga ajo kohë Turkmenia ka mbetur një shtet me një parti, ku mbizotëron presidenti Niyazov. Qeveria nuk toleron thuajse asnjë lloj opozite dhe ushtron një kontroll të plotë mbi mjetet e informimit.

Aktualisht nuk ka kufij ligjor përsa i përket numrit të mandateve, gjatë të cilave presidenti Niyazov mund të shërbejë. Më 8 gusht parlamenti kukull i Turkmenisë miratoi një rezolutë, në të cilën thuhet se ai duhet të jetë president i përjetshëm. Zoti Niyazov thotë se ka në plan të mbajë zgjedhje presidenciale në 8 apo 9 vjet.

Sundimi i një njeriu të vetëm ka zënë rrënjë aq të thella në Turkmeni, saqë presidenti Niyazov ka marrë emrin “Akbar Turkmenbashi”, që do të thotë “Udhëheqësi i Madh i të Gjithë Turkmenëve”. Nëpër gjithë vendin, rrugëve, xhamive, fabrikave dhe aeroporteve po u vihet emri i ri, Turkmenbashi. Portretin e zotit Niyazov e gjen në paratë e vendit dhe në një numër të pafund banderolash dhe afishesh. Në kryeqytetin Ashgabat, një statujë e artë e tij ngrihet mbi një hark shumë të madh.

Presidenti Niyazov ka vendosur gjithashtu të ndryshojë emrat e muajve. Janari do të quhet Turkmenbashi, kurse tetori Ruhnama, ose Ringjallja Shpirtërore. Ky është titulli i një libri të shkruar nga Niyazovi. Kërkohet që nxënësit e shkollave të Turkmenisë ta lexojnë këtë libër. Ndërkohë në vend mungojnë tekstet e rregullta shkollore.

Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë organizatat joqeveritare në Turkmeni, në punën e tyre në fusha të tilla si ekologjia, shëndeti, mbrojtja e të drejtave të grave, të drejtat e refugjatëve, zhvillimi i gazetarisë së pavarur dhe edukata qytetare.

Sikurse republikat e tjera të Azisë Qendrore, edhe Turkmenia është në vijën e parë të luftës kundër terrorizmit. Kjo do të thotë se është e domosdoshme për sigurinë e rajonit, si edhe për të mirën e popullit turkmen, që qeveria e këtij vendi të hedhë hapa përpara drejt demokracisë dhe respektit për të drejtat e njeriut.

XS
SM
MD
LG