Lidhje

Nënpresidenti Cheney paraqet arsyet për ndërhyrje kundër Irakut - 2002-08-26


Nën-presidenti amerikan, Dick Cheney, tha se nuk ka dyshim që presidenti irakian, Sadam Husein, ka armë të shkatërrimit në masë dhe se ai po i grumbullon ato për t’i përdorur kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.

Në një fjalim që mbajti mbrëmë, nën-presidenti Cheney mbështeti me forcë ndërmarrjen e veprimeve parandaluese kundër udhëheqësit irakian. Ai tha se shumë zyrtarë të administratës amerikane janë të bindur se Iraku do të sigurojë shumë shpejt edhe armë bërthamore.

Zoti Cheney tha se koha nuk pret dhe se rreziqet që mund të sjellë mosveprimi janë shumë më të mëdha se ato që paraqet ndërmarrja e veprimeve.

"Ne nuk mund t'i shmangemi këtij problemi, të shpresojmë për më mirë dhe t'ia lëmë këtë problem për ta zgjidhur presidentëve të ardhshëm amerikanë", tha nën-presidenti Cheney.

Ndërkohë, zyrtarë amerikanë thonë se ekspertë ligjorë të Shtëpisë së Bardhë arritën në përfundimin se presidentit Bush nuk i nevojitet miratimi i Kongresit amerikan nëse ai vendos të sulmojë Irakun.

Kjo është një shenjë tjetër që tregon se administrata e presidentit Bush po shqyrton të gjitha alternativat, ndërkohë që presidenti diskuton mbi mundësinë e ndërhyrjes ushtarake kundër Irakut.

Por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, la të kuptohej se kjo nuk do të thotë që do të veprohet pa u konsultuar me Kongresin dhe aleatët.

“Në se presidenti do ta merte një vendim të tillë, ai do të shqyrtonte një sërë faktorësh ligjorë, politikë dhe historikë para se të vendoste, përsëri në se ai arrin përfundimisht të vendosë rreth ndërhyrjes ushtarake kundër Irakut.”

XS
SM
MD
LG